Sport

Jehonë e madhe ndarjes së çmimit “Diaspora” për Shaqirin

Shaqiri nuk e ka humbur “kontaktin me tokën”. Ai mbetet po ai djaloshi i qeshur, modest dhe i gatshëm për t`iu përgjitgjur secilit

Margaritari i FC Baselit që së shpejti do të jetë “në pronësi” të FC Bayernit, shqiptari nga Kosova Xherdan Shaqiri, të enjten pasdite do të mungonte në stërvitjet e rregullta të klubit të tij. Mos është i lënduar, po “feston” para kohe kalimin në klubin e ri apo kishte ndonjë problem tjetër? Jo. Trajneri i tij i kishte dhënë leje që të mungonte sepse atë e priste një aktivitet i rëndësishëm. Shaqiri do të nderohej me çmimin “Diaspora”, për merita të posaçme në integrimin dhe afirmimin e kosovarëve në Zvicër. Këtë çmim para tij e ka marrë vetëm ish ministrja e jashtme e Zvicrës Micheline Calmy Rey. Kështu e fillon gazeta “20Minuten” shkrimin për laureatin më të ri të çmimit që jep mërgata kosovare në Zvicër.

Në përgjithësi, ndarjes së çmimit Diaspora Xherdan Shaqirit i është bërë jehonë e madhe nga shtypi zviceran. Në mbrëmjen solemne kur u bë kjo ndarje në ambientet e hotelit Bellevue Palace të Bernës ishte mjaft gazetarë dhe fotoreporterë të medieve zvicerane. Në ditën pasuese disa nga këto gazeta tashmë i kishin kushtuar hapësira ë mëdha manifestimit dhe sfondit të tij. Gazeta më e amdhe e Zvicrës, “Tages Anzeiger” i kishte rezervuar Shaqirit një faqe të tërë, ku i kishte bërë atij dhe familjes së tij një portret mjaft interesant e të gjithanshëm, duke marrë shkas nga ndarja e çmimit.

Shaqiri nuk e ka humbur “kontaktin me tokën”. Ai mbetet po ai djaloshi i qeshur, modest dhe i gatshëm për t`iu përgjitgjur secilit, edhe pas gjithë kësaj fame që e ka arritur për një kohë të shkurtë. Megjithatë, ai nuk e ka problem të pranojë se është shembull e idhurll për shumë bashkatdhetarë të tij të rinj, vëren Tages Anzeiger. Gazeta po ashtu merret edhe me familjen e Shaqirit, ku, me gjithë famën dhe pasurinë e Xherdanit, “shefi mbetet babai”.

Edhe gazeta Berner Zeitung ka raportuar nga solemniteti i ndarjes së çmimit “Diaspora” në Bernë. “Për pak termini i ndarjes së çmimit mund të dështonte: Sikur FC Basel të fitonte kundër FC Bayernit, Xherdan Shaqiri do të ishte i zënë në ndeshjen me Realin e Madridit dhe jo me kosovarët në Bernë”, shkruan kjo gazetë. Pastaj ajo përshkruan atmosferën e mbrëmjes, adhurimin e madh të shqiptarëve, veçanërisht më të rinjve për Shaqirin etj. “Berner Zeitung” potencon se krahas nderimeve tjera që ka merituar Shaqiri, ai në vitin e kaluar është shpallur edhe Personalitet i Vitit nga portali shqiptar i internetit në Zvicër, albinfo.ch.

Gazeta “Basler Zeitung” po ashtu shkruan për ndarjen e çmimit, duke u fokusuar në “rrënjët bazelase” të Shaqirit. Ajo i jep hapësirë fjalimit të qeveritarit nga Bazeli, Hans-Peter Wessels, i cili ka folur për shembëlltyrën e futbollistit shqiptar për integrimin e të rinjve të komunitetit të tij. Wessels ka vlerësuar sidomos qëndrimin e Shaqirit që të shfaqë hapur dhe pa ekuivoke përkatësinë e tij: “Unë jam shqiptar nga Kosova” ka deklaruar ai pasi ksihte shënuar tre gola për Zvicrën kundër Bullgarisë. Po kështu, ka thënë Wessels, Shaqiri ka deklaruar se “ndjehem si zviceran me shumë lidhje kosovare ashtu siç ndjehem si kosovar me shumë lidhje zvicerane”. Ai ka thënë se si bazelas ndjehet shumë krenar me Xherdan Shaqirin.

Edhe gazeta zvicerane në gjuhën frënge “Le Matin” i ka dhënë hapësirë solemnitetit të ndarjes së çmimit “Diaspora”. Ajo në numrin e saj të të premtes ka botuar artikullin nga ky sloemnitet, të huazuar nga albinfo.ch.