Video satirike me Blocherin si refugjat somalez
Në një videoincizim të saj organizata Amnesty International (AI) ka vënë në lojë politikanin e njohur të SVP-UDC-së Christoph Blocher, gjegjësisht politikën jotolerante të tyre ndaj të huajve. Ashpërsimi i fundit i Ligjit të Azilit i ka shërbyer AI-së si pretekst për këtë video satirike me tone ironike si dhe pllakate të ndryshme. Në video paraqiten Chtristoph Blocher dhe bashkëpartiaku i tij Ueli Maurer si azilkërkues nga Somalia.
Fushata e AI dhe OJQ-ve tjera zvicerane është “një apel drejtuar opinionit zviceran që të angazhohet për një politikë korrekte dhe me dinjitet njerëzor”.
Në videon e përmendur, paraqiten dy politikanët zviceranë me fytyra të nxira që ngjajnë me refugjatë somalezë. Në video duket po ashtu edhe koka e dhisë Zottel, që është maskotë e SVP-së, duke u zier në kazan. Dy svp-istët janë detyruar që nga uria dhe varfëria të ziejnë maskotën e tyre.
AI e ka cilësuar fushatën e saj si satirike, që përpiqet për solidaritet dhe mirëkuptim, ndonëse duke i ngjyrosur me të zezë kundërshtarët e saj politikë. Kjo mënyrë po shfrytëzohet gjithnjë më shumë në fushatat politike në Zvicër . “Provokimet po bëhen pjesë gjithnjë më e popullarizuar e veprimit politik dhe fushatave politike “ ka deklaruar analisti politik dhe këshilltar i fushatave politike Mark Balsiger për emisionin “Tagesschau” të sf1.
Me fushatën e saj më të re, AI po bëhet organizata e parë e stabilizuar që ka arritur në atë shkallë sa të udhëheqë sulme të drejtpërdrejta dhe të personifikuara. Më parë, fushata të tilla, në kufi të të lejuarës, ka zhvilluar zakonisht SVP-UDC-ja.
Fushata drejtohet kundër miratimit të ligjit të ashpërsuar për azilin, që ditë më parë u miratua me klauzolën për hyrje urgjente në fuqi, nga të dy dhomat e parlamentit të Zvicrës. Por partisë SVP edhe ky ligj nuk i duket mjaft i ashpër. Për këtë arsye ajo ka nisur të dielën një iniciativë për ashpërsimin e mëtejmë të ligjit.
Moti
Bernë
- 5 °C
Enj, 23/05/2013 - 22:50
Prishtinë
- 14 °C
Enj, 23/05/2013 - 23:30
Cyrih
- 6 °C
Enj, 23/05/2013 - 22:50
Shkup
- 16 °C
Enj, 23/05/2013 - 23:30
