Sport

Jeta tjetër e Lorik Canës

“Ajo pjesa e drejtuesit po më tërheq më tepër, ndoshta jashtë vendit në ato vende ku unë kam jetuar si Zvicra, Franca. Kam fat që nuk më duhet të gjej një vend për të punuar që ndoshta nuk më jep kënaqësi”, thotë ish-kapiteni i Kombëtares

Lorik Cana është legjendë dhe ikonë e futbollit shqiptar. Ai është pensionuar nga futbolli aktiv, derisa tani është zhvendosur në kryeqytetin shqiptar, Tiranën, raporton “TCH”.

“Çdo gjeneratë e ka atë ciklin e vetë. Njerëzit kanë akoma dashuri dhe këtë e tregojnë ende. Gjithë kohës jam në komunikim me njerëzit”, thotë Cana, përcjell albinfo.ch.

Ai vendosi të hap një fondacion, i cili do të lidhej me futbollin, por jo me të rriturit, por fëmijët, në kërkim të talenteve, që në Shqipërinë e vogël, janë të rrallë. Sipas projektit fillestar do të ndërtohen disa fusha sportive, të gjitha me paratë e vetë Lorikut.

“Më ka lindur si ide 4 vite më parë. Mendoja t’i jepja rëndësi atyre gjërave të rëndësishme që mungojnë në vendin tonë. Mundohem të jap kontributin tim duke bërë gjëra të cilat sensibilizojnë dhe njerëzit dhe i bëjnë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është sporti dhe kultura. Unë e dua shumë këtë pjesën e trashëgimisë kulturore”, shprehet Cana.

Cana po mendon të jetë edhe si drejtues. “Ajo pjesa e drejtuesit po më tërheq më tepër, ndoshta jashtë vendit në ato vende ku unë kam jetuar si Zvicra, Franca. Kam fat që nuk më duhet të gjej një vend për të punuar që ndoshta nuk më jep kënaqësi”, thotë ish-kapiteni i Kombëtares.

Jeta e Lorikut në Tiranë, nuk ndryshon nga ajo e shumicës prej qytetarëve tjerë, megjithëse në një lagje të mirë të kryeqytetit, ai jeton në një pallat, me shumë familje të tjera.

“Këto janë faturat e mija të ujit që duhet t’i paguaj. Duken qartë që janë disa nuk janë shumë, kurse këto janë faturat e pallatit. Bashkëjetesa nëpër pallate në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, shpresojmë që t’i paguajnë edhe këto se përndryshe do të na ndalin edhe energjinë elektrike e s’kam nga të dal me familjen”, tregon Loriku.

Në Tiranë ai jeton me bashkëshorten italiane Monica dhe djalin Bojken. “Jemi takuar për herë të parë pas 2 muajsh që kisha shkuar në Romë. Herën e parë nuk mundëm të bisedojmë sepse ndryshuam vetëm numrat e telefonit, më pas, pas kombëtares u takuam. Kisha të bëja me një person që nuk e dinte çfarë ndodhte me sportin. Ishte një vajzë që ishte e informuar jo mirë për ne nga mediat dhe opinioni dhe më pas mu desh t’i mësoja gjithçka për vendin tonë për kulturën. Megjithatë unë jam shumë i lidhur me familjen dhe ajo e di tashmë këtë gjë, për këtë arsye ka filluar të mësojë shqip, ndërsa unë kam perfeksion italishten me Monikën. Unë në fillim e kisha një ide që patjetër nusen duhet ta merrja nga vendi im, por kjo më ka ndryshuar krejtësisht mendjen duke menduar që ishte personi më fantastik që kam njohur. Në disa raste ajo është bërë edhe më shqiptare se shqiptaret”, shprehet Cana.

Lorik Cana la futbollin menjëherë pas Evropianit dhe ndeshjes me Rumaninë. Askush nuk e kuptoi arsyen e vërtetë. Diçka ai la të kuptohet në një intervistë televizive.

“Këtë radhë kam preferuar t’i jap trupit tim kohën e nevojshme. Kam mjekët, të cilët do të më ndihmojnë. Mendoj se çdo gjë e kë në jetë momentin e vet dhe tërheqja ishte koha e duhur”.

Lorik Cana është idhull i shumë fëmijëve sot. Por për Bojkenin ai është thjesht babai i tij. Së paku sa të rritet e të kuptojë se çfarë adhurimi kanë shqiptarët për të atin dhe sa mirënjohësi i janë atij për sukseset e mëdha të një kombëtareje të vogël si Shqipëria. Por a do të jetë mjaft fama e të atit, që edhe Bojken Cana të bëhet futbollist? “ Ai do të bëhet çfarë ndjen vet. Sigurisht do ta shtyjë të bëjë sport, sepse pavarësisht nëse do të bëhet sportist elitar apo jo me rëndësi është që të merret me sport. Siç e thash është diçka që të ndjek gjatë gjithë jetës të jep stabilitet të jep vlera. Nëse do të më pyes unë sapo të bëjë 4-5 vjeç do t’i japë një raketë në dorë që të luaj tenis dhe nëse do t’i pëlqejë do ta shtyj të luaj tenis, por ajo është dëshira e tij mandej”, thë Cana.