Shkurt.ch

JUSO kërkon të hiqet `marrja në pyetje` për pasaportën zvicerane

“Ashtu siç janë përshkruar ato, nuk ngjajnë me intervista por më shumë me marrje në pyetje. Prandaj ato duhet ndaluar menjëherë”, kërkon Tamara Funiciello, kryetare e socialistëve të rinj (JUSO) të Zvicrës

Rasti i turkes Funda Yilmaz dhe i gjermanit M.M., të cilëve, përkundër nivelit të përsosur të integrimit në Zvicër, u është hedhur poshtë kërkesa për natyralizim, ka ngjallur një debat të nxehtë në opinionin zviceran. Ajo që ka irrituar në veçanti këtë opinion ka qenë “intervista” të cilës i nënshtrohen kandidatët për pasaportë zvicerane. Kjo, për shumëkënd është e tepruar dhe më shumë ngjan me një “marrje në pyetje”.

“Ashtu siç janë përshkruar ato, nuk ngjajnë me intervista por më shumë me marrje në pyetje. Prandaj ato duhet ndaluar menjëherë”, kërkon Tamara Funiciello, kryetare e socialistëve të rinj (JUSO) të Zvicrës, shkruan 20minuten.ch.  “Këtu, janë një numër i vogël i njerëzve të cilët kanë një rol të madh mbi të ardhmen e kandidatëve për natyralizim dhe nuk ekzistojnë kritere të përbashkëta për intervistat. Kjo gjë pastaj i hap dyert arbitraritetit krah e krah”, transmeton albinfo.ch. Kështu, sipas saj vendimet në dy rastet e bëra të njohura së fundi janë të papranueshme. “Këtu mund të ndodhë që dikush, thjesht nisur nga trill i tij, të ta pamundësojë natyralizimin”.

Prandaj, kur dikush i ka plotësuar kriteret si: kohëzgjatjen e qëndrimit në Zvicër, imazhin e mirë dhe njohjen e gjuhës, ai duhet të natyralizohet pa pasur nevojë për ndonjë bisedë plotësuese, mendon Funiciello. “Kush e ndjen veten në Zvicër si në shtëpi të veten, duhet të ketë të drejtë po ashtu që të marrë pjesë në jetën politike, kjo është një e drejtë themelore demokratike. Dhe kjo nuk duhet të lidhet me `suksesin` e mirë në provim por duhet të vlejë për të gjithë.

Ndërkaq, krejtësisht ndryshe e sheh këtë deputetja nacionale nga SVP, Barbara Steinemann, transmeton albinfo.ch. “Është e drejtë e komunës që të vlerësojë në mënyrë rigoroze se kush po natyralizohet”, thotë ajo. Ndërsa duke tërhequr vërejtjen nga heqja e intervistës ajo shton: “Kur nuk mund t`i njohësh kandidatët personalisht, nuk do të dish më se kë po e natyralizon”.

Një rrugë të mesme e propozon deputeti nacional nga Partia e Gjelbër, Jonas Fricker. “Federata duhet të shpallë kriteret që caktojnë se në ç`mënyrë dhe në ç`masë duhet të shqyrtohet njohja e dokeve dhe zakoneve të vendit (te kandidatët për pasaportën zvicerane)”.