Kultura

Ka ndërruar jetë poeti Vehbi Skënderi

Nga viti 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe në Zvicër, ku ka vazhduar krijimtarinë e tij poetike dhe publicistike

Më 13.06.2011, në orën 04:30, pushoi së rrahuri zemra e lirikut të madh Vehbi Skënderi. Në spitalin kantonal të Bazel Landit, Bruderholzspital, ku u shtrua në mëngjesin e datës 11.09.2011, krijuesi Vehbi Skënderi pati pranë deri në çastet e fundit gruan, vajzën, dhëndrin dhe nipat.

Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927 në familjen e një kleriku të lartë. Shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitin 1940 u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan ku iu mbijeton dy plagosjeve. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare.

Në vitin 1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji. Shkrimi i tij i parë që gjen jehonë të veçantë ishte ai i botuar më 1945 tek Bashkimi, me titullin “Myfiti”, ku bën portretin dhe historinë e një çami nga Filati.

Në vitet 1949-1953 është redaktor në revistën Miqësia ndërsa në vitet 1955-1956 në revistën Hosteni me Spiro Çomorën. Në vitet 1956-1959 është korrespondent special në të përditshmen Bashkimi. Nga viti 1960 deri në vitin 1967 punoi në revistën Ylli, ku ishte gazetar dhe anëtar i kolegjiumit. Në vitet 1972-1974 ai ishte redaktor i poezisë në Shtëpinë Botuese „Naim Frashëri”.

Veprimtarinë publicistike, Vehbi Skënderi mundi ta rifillonte vetëm pas vitit 1992, me rrëzimin e diktaturës. Në këto vite ai ka botuar publicistikë dhe poezi kryesisht në gazetat e përditshme “Rilindja” dhe “Bota Sot”.Poezinë e parë, Vehbi Skënderi e botoi në revistën “Letërsia jonë” në vitin 1947.

Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.

Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës.

Vëllimin e fundit, “Mirëmëngjes, Shqipëri – Lirika të një tetëdhjetëvjeçari”, i cili ndodhet në dorëshkrim, poeti Vehbi Skënderi e përfundoi në fillim të vitit 2009.

Përplasjet e tij me regjimin e kohës dolën hapur në vitin 1967. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh – Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani Zija Shkodra, majori Bektash Bedo etj. – ai përgatiti një “Brigadë shtypi” dhe e dorëzon për botim në Zërin e Popullit, të cilën Byroja Politike e cilëson veprimtari armiqësore. Në Komitetin Qendror gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti sepse sipas tyre sulmonte institucionet e superstrukturës të diktaturës dhe nacionalist meqë Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë.

Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, dërgohet në Vaun e Dejës, i dënuar me punë korrektuese. Një vit më vonë, në Kantjerin e Zadejës, dërgohet me punë fizike. Më 1974 ai përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.

Pas rreth dhjetë vitesh i rikthehet e drejta e botimit. Del në pension në vitin 1987 duke qenë korrektor në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik.

Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër me familjen e tij të dashur, me gruan, dy nipat e tij, dhëndrin Skënder Buçpapaj dhe vajzën e tij të vetme Elida Buçpapaj, të cilët e rrethuan me dashuri dhe përkujdesje shembullore deri në fund të jetës së tij.