Maqedonia

Ka shpresë për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë

Pas raundit të negociatave mes kryediplomatëve dhe ndërmjetësit të OKB-së, çështja e emrit ka kaluar në nivelin më të lartë, atë të kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, të cilët do të takohen më 17 maj në Sofje. Ndonëse pas bisedimeve të së dielës nuk u zbuluan detaje nëse dallimet ishin tejkaluar ose jo, sipas analistëve deklarata e shkurtër e ndërmjetësit Metju Nimic dhe paralajmërimi i takimit mes kryeministrave paraqet sinjal se kontesti shumëvjeçar është afër zgjidhjes.

Mediat greke shkruajnë se takimi i djeshëm i riktheu shpresat për zgjidhjen e emrit pasi i afroi pozicionet e palëve dhe i hapi rrugë fazës përfundimtare, takimit të kryeministrave nga i cili pritet të merren vendimet përfundimtare, përcjell albinfo.ch.

Takimi Zaev-Cipras në Sofje në kuadër të Samitit të vendeve anëtare dhe atyre kandidate për në BE do të jetë i dyti me radhë, pas atij në Davos të Zvicrës.