Lajme

Ka vjedhur 1.8 milion franga në Zvicër, biznesmeni zviceran po fshihet në Shqipëri!

Eberle përmes shokëve të tij të burgut ka vendosur kontakte me Shqipërinë dhe ka mundësi që ai tash të jetë duke qëndruar atje. Njëri prej hetuesve thotë se ai mund të ketë marrë identitet të rremë

Tregtari i patundshmërive, zvicerani Peter Eberle nga St. Galleni ishte i dënuar me burg për mashtrim në punë patundshmërish. Pas kësaj, ai kishte dashur të bënte “pak pushim” nga burgu, siç u kishte shkruar autoriteteve.

Ai ishte dënuar pasi që së bashku me një koleg ua kishte vjedhur disa bankave dhe sigurimeve 18 milionë franga, shkruan polizeiticker.ch. Pas dënimit, në janar 2015 Gjykata Kantonale i kishte kërkuar atij një zhdëmtim prej 1.7 milion frangash në emër të shpenzimeve dhe të procedurës. Disa shuma më të vogla që i shtohen kësaj, rrjedhin nga një procedurë në Gjykatën e Qarkut në Wil dhe një tjetër po në Gjykatën e Kantonit.

Kështu, shuma e përgjithshme që ka ai borxh është 1.796.949 franga me një kamatë prej 5%, transmeton albinfo.ch. Këtë shumë, kantoni po provon ta nxjerrë nga ai përmes procedurës së përmbarimit dhe gazetës zyrtare. Në gazetën zyrtare përveç urdhrit të pagesës është publikuar edhe një urdhërarrest për Eberle-n. Atij i janë bllokuar tashmë disa xhirollogari, por autoritetet nuk e japin shumën e parave që ka pasur në to.

Por hetuesit privatë të cilët po merren me lëndën e tij nuk janë shumë optimistë. Ata janë të bindur se Eberle tashmë shumat e mëdha të parave të tij i ka transferuar jashtë vendit, më saktë, në Shqipëri, përcjell albinfo.ch! “Sipas hetimeve tona Eberle përmes shokëve të tij të burgut ka vendosur kontakte me Shqipërinë dhe ka mundësi që ai tash të jetë duke qëndruar atje”. Njëri prej hetuesve thotë se ai mund të ketë marrë identitet të rremë sepse ndryshe nuk mund të qëndronte për kohë të gjatë i pavërejtur atje.

Por, përkundër faktit se Eberle ka vjedhur “mjaft”, as ai nuk ka shpëtuar krejtësisht i paprekur. Ai ka dashur ta blejë nga një shtetas i Maqedonisë një firmë dhe për këtë ia ka dhënë atij 150 mijë franga “në dorë”. Por, kjo shumë e parave është “zhdukur”, pasi që shitësi ka humbur pa gjurmë.