Lajme

Kadare: Çmimi i ndarë në Kosovë, është më i çmuari i jetës time

Ministria kosovare e Kulturës i ka ndarë Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa komuna e Ferizajt ka nderuar me çmimin “Finesa” si dhe ka emëruar tetarin e qytetit me emrin e tij

Shkrimtari më me famë i literaturës shqiptare, i cili para disa dekadash ka tejkaluar kufijtë nacional, Ismail Kadare është nderuar sot nga Institucionet e Kosovës me dy çmime të veçanta. Ministria kosovare e Kulturës në një ceremoni të organizuar i ka ndarë Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, ndërsa komuna e Ferizajt ka nderuar me çmimin “Finesa” si dhe ka emëruar tetarin e qytetit me emrin e tij.

Shkrimtari i njohur shqiptar tha se kjo është një ceremoni që çdo shkrimtar në botë e dëshiron dhe e çmon, dhe se ky mbetet çmimi më i çmuar për të.

“Është një ceremoni që çdo shkrimtar në botë e dëshiron dhe çmon më shumë se çdo gjë tjetër. Falënderoj Kosovën, ju në radhë të parë lexuesit e mi të Kosovës. Jam vërtet i nderuar dhe këto fjalë janë pak si klishe kudo në botë dhe i lumtur që marrë këtë çmim, por më  besoni ky çmim i dhënë në Kosova ka domethënie më tepër se një çmim, ka kuptim me tepër se një çmim për mua dhe rrjedhimisht më jep kënaqësi me tepër se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur mendoj që po e marr çmimin në Bibliotekën e Kosovës”, tha ai.

Bibliotekat, sipas tij, janë prijës të asaj mbretërie të madhe në botë, që  është mbretëria e lexuesve.

“Shkrimtarët jetojnë falë bibliotekave, falë lexuesve. Letërsia është arti më i vjetër në botë. Mijëvjeçari i parë i saj s’kishte lexues, kishte vetëm dëgjues. Pra, këtë takim po ta bënim 3 mijë vjet përpara do të thoshim të dashur dëgjues të Kosovës. Për fat të mirë kombi shqiptar, njeriu shqiptar ka sot lexues të mrekullueshëm”,  tha Kadare.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se ka ardhur koha që në historinë e Kosovës të ketë vend të privilegjuar për librat dhe Ismail Kadarenë.

“Ka ardhur koha në historinë e Kosovës që të ketë vend të privilegjuar, të respektuar dhe të përzemërt edhe  për botimet tuaja dhe për ju. Ka aq shkrimtarë të mëdhenj dhe libra të mëdhenj në këtë bibliotekë, por për lexuesin e  Kosovës, Kadareja është shkrimtar i zemrës. Kadare nuk është në masën e autorëve kalimtar, që ecin ose shtyjnë njëri-tjetrin, ai është i përhershëm. Kadare është autori, lidhja me të cilin nuk është shkëputur kurrë dhe nuk është braktisur asnjëherë“, tha ai.

Ndërkaq në një ceremoni të veçantë, Komuna e Ferizajt e ka nderuar me çmimin “Finesa” shkrimtarin e mirënjohur shqiptar Ismail Kadare. Ky çmim i është ndarë Kadaresë për kontributin e tij në fushën e letërsisë. Që nga sot edhe sheshi tek teatri i qytetit “Ardriana” do ta mbajë emrin e këtij kolosi të letrave shqipe.

Para seancës solemne të Kuvendit, shkrimtari Ismail Kadare, fillimisht është pritur nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili më këtë rast i ka uruara mirëseardhje. Pastaj pjesa solemne ka vazhduar në sallën e Kuvendit, me ç’rast kryetari i Svarqa , në fjalën e tij ka thënë se komuna e Ferizajt ndihet e nderuar me vizitën e tij këtu dhe se bashkëqytetarët e tij nuk do ta harrojnë gjatë këtë nderë që po u bënë.

Në anën tjetër, Ismail Kadare është ndier i emocionuar me këtë nderë që Ferizaj i ka bërë, duke thënë se shkrimtaret janë ata që komunikojnë përmes veprave me të gjithë, e në këtë rast edhe me lexuesit e Ferizajt. Ai tha se për shkrimtaret, kuptimi i nderimit e kapërcen madhësinë e një qyteti dhe se ky çmim është i veçantë për të.

Ndryshe, javë më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka themeluar një çmim të veçantë për personalitet, të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Çmimi “Letërsia Shqipe” është 10 mijë euro dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.  Ky çmim, sipas Rregullores, jepet nga ministri, në bashkëpunim me Këshillin e Librit.