Kultura

“Kam njohur shqiptarë të mrekullueshëm”

Për albinfo.ch flet regjisori i filmit dokumentar "Shqiptarët e mirë – emigrantët e suksesshëm në Zvicër", Béla Batthyany

Idenë për të realizuar një temë të tillë e kam në kokë që nga artikulli i botuar para 2-3 vitesh në revistën Magazin të Tages Anzeiger, ku autori Martin Beglinger kishte portretuar disa të rinj të suksesshëm shqiptarë të Zvicrës. “Të rinj, të suksesshëm, shqiptarë” ishte titulli i artikullit që ishte pritur shumë mirë dhe kishte ngjallur shumë reagime pozitive. Pasi e paraqita këtë temë në redaksi, ideja u pëlqye, veçmas për faktin se nuk kishte ende asgjë të filmuar rreth kësaj teme, ndërkohë që shkrime gazetareske për këtë temë gjendeshin aty këtu.

Dr. Mentor Bilali, kirurg në Inselspital të Bernës

Punën, ose hulumtimin për realizimin e filmit dokumentar e kam filluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa gjithë realizimi ka përfunduar në mesin e shtatorit, që i bie një punë pothuaj një vjeçare”, thotë Batthyany.

Në film ai ka portretuar politikanen nga Lucerni Ylfete Fanaj, boksierin e njohur nga Winterthuri Azem Maksutaj, menaxherin e bankës Credit Suisse Sysret Kastrati, kirurgun në Insel Spital të Bernës Mentor Bilalin. dhe gastronomin nga Shfahauzeni Shaban Limani.

Ylfete Fanaj, deputete në Kantonin e Lucernit

I pyetur nëse edhe ai vetë ka pasur paragjykime mbi shqiptarët dhe si ka ndikuar njohja me ta në këtë drejtim, regjisori pranon se, duke qenë pjesë e kësaj shoqërie, ka pasur paragjykimet e zakonshme për shqiptarët.

“Fillimisht, kam menduar se si do të mund t`i gjej shqiptarët e suksesshëm që më nevojiteshin për realizimin e filmit. pastaj, shumë shpejt kam zbuluar se kishte jashtëzakonisht shumë shqiptarë të suksesshëm këtu. Kështu që gjetja e tyre nuk ishte problem sa ishte seleksionimi, përshtatja e tyre me njëri tjetrin dhe me kornizën e filmit.

Azem Maksutaj, kampion i shumëfishtë botëror në thaibox

Paragjykime kam pasur natyrisht sikur edhe të tjerët. As unë nuk i njihja shqiptarët më mirë se shumica këtu. Por pastaj, përmes njohjes nga afër i kam reviduar shumicën e paragjykimeve. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm, kam mësuar shumë mbi popullin shqiptar, mbi historinë e tij, luftën etj”.

Lidhur me përfshirjen në film të fushatave të fundit kundër kosovarëve-shqiptarëve Batthyany thotë se, përveç me portretet e personaliteteve të zgjedhur, në film janë marrë edhe me problematikën e kosovarëve në Zvicër. Në këtë kuadër edhe me fushatat politike.

“Kemi provuar të kuptojmë se ku buron imazhi i keq i shqiptarëve, përse ai vazhdon të mbijetojë etj.

Sysret Kastrati, menaxher në bankën Credit Suisse

Emri Bela Batthyany të udhëzon në një prejardhje të huaj (hungareze) të regjisorit. E pyetëm atë nëse kjo prejardhje ka luajtur një rol në përcaktimin e tij për të realizuar një film për shqiptarët si komunitet i huaj në Zvicër.

“Unë vetë nuk kam qenë refugjat por prindërit e mi kanë ardhur këtu si refugjatë nga Hungaria. Kështu, unë e njoh qysh si fëmijë problemin e të qenët ndryshe, problematikën e integrimit etj. Jam i familjarizuar për shembull që herët me problemin kur prindërit nuk e njohin mirë gjermanishten e të ngjashme.

E njoh dëshirën për të qenë sikur të tjerët dhe po kështu e njoh edhe ndjenjën kur e kupton se nuk je sikur ata. Këto janë tema që unë shpesh i trajtoj në filmat e mi. Dhe kjo është një përparësi imja mendoj”, përfundon regjisori i filmit dokumentar “Shqiptarët e mirë – emigrantët e suksesshëm në Zvicër” që do të shfaqet më 24 nëntor në televizionin publik të Zvicrës SF1 në gjuhën gjermane.

Béla Batthyany ka studiuar për psikologji në Cyrih ndërsa në Paris ka mbaruar shkencat e filmit. Në vitin 2003 ka përfunduar Shkollën e Lartë të Arteve në Cyrih dhe prej atëherë punon si regjisor i lirë filmi. Realizon kryesisht filma dokumentarë për redaksinë e emisionit Doc të televizionit publik të Zvicrës sf1.