Jeta në Zvicër

Kambana e kishës zvicerane ia prishi kualitetin e jetës

Ende nuk është sjellë ndonjë vendim gjyqësor, ndërsa gjykatësja ka propozuar që rasti të zgjidhet jashtë gjyqit

Një rast i çuditshëm i vetdrejtësisë ka ndodhur gjatë kësaj jave në Gjykatën rajonale të Kreuzlingenit. Një person fshehurazi e kishte heshtur kambanën e kishës.

I akuzuar ka qenë një gjerman 45-vjeçar, i cili nuk e ka pranuar veprën edhe pse në vendngjarje janë gjetur gjurmë të ADN-së së tij. Dyshohej se ai e ka heshtur kambanën e kishës në Wäldi, në mes të shtatorit 2014 dhe dhjetorit të vitit 2015.

Pasi atë mëngjes nuk ishte dëgjuar kambana e kishës, komuna e dërgon një teknik për të hetuar defektin. Mirëpo, pas shumë kontrollimeve, ai nuk ka mundur ta gjejë gabimin. Vetëm në qershor të vitit 2016, në çatinë e orës, ai e vërejti një ndërprerës të funksionimit të orës.

Me këtë rast, i dyshuari kryesor ishte gjermani 45-vjeçar, i cili disa herë ishte ankuar se po pi pengonte kambana e orës së kishës. Policia i zbuloi gjurmët e tij të ADN-së dhe dyshohet se ai ilegalisht ka hyrë në kishë duke e kryer veprimin. Gjermani e ka mohuar kryerjen e veprës, por nuk ka mohuar se kambana ia ka dobësuar kualitetin e jetës.

Avokati i tij ka kërkuar lirimin nga akuzat, shkruan “Thurgauer Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.

Ende nuk është sjellë ndonjë vendim gjyqësor, ndërsa gjykatësja ka propozuar që rasti të zgjidhet jashtë gjyqit.

Kryetari i komunës, Adrian König, nuk mund ta kuptojë rastin, pasi në këtë komunë ekzistojnë dy kisha dhe deri më tani askush nuk është ankuar.

Nga organizata për ruajtjen e qetësisë së natës “IG Stiller”, rasti vlerësohet krejt ndryshe, duke e arsyetuar vetdrejtësinë. “Zhurma e kambanave gjatë mëngjesit mund të perceptohet si terror ose torturë”, deklarojnë nga atje. Gjatë kësaj, njeriu ndihet i pafuqishëm dhe agresiv.