Sport

Kampionëve evropianë e botëror u ndalet rryma

Problemet me energjinë elektrike po vazhdojnë edhe më tutje në Kosovë, ku çdo ditë ka lajme se cilat vende do të mbesin pa rrymë, shkruan albinfo.ch.

Një fat të tillë kishin edhe xhudistët kosovarë të cilët i kanë sjellë Kosovës medalje evropiane, botërore dhe olimpike.

Përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është shprehur shumë i dëshpëruar, pasi kishte edhe mysafirë specialë.

“Momentalisht në Kosovë kemi garues kulminant të huaj në përgatitje, dhe si për inat ndalet rryma në kohën e stërvitjes! Fort keq, dimër i ftohtë, për ndriçim disi ia dalim, por temperatura shkon shumë gradë minus!

Ekipi ynë nuk ndalet, as në të ftohtë s’jemi ndalur kurrë, por garuesit kulminant që i kemi mysafirë vështirë do të vijnë prapë në përgatitje në Kosovën tonë. Lagja me Kampion Evropian, Botëror e Olimpik ju përshëndet prej errësirës”, shkruan Kuka në rrjetet sociale.

Kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë iu ndodh xhudistëve, derisa vazhdojnë të jenë sportistët më të suksesshëm kosovarë.