Sport

Kampionia shqiptare mund të kërkojë azil

Trajneri dhe bashkëshorti i Romela Begajt, Gazmend Hakcani, ka mbrojtur gruan e tij, duke thënë se sportistja shqiptare është e pastër, dhe premton se kjo çështje do të vazhdojë edhe më tej dhe jo vetëm me hapjen e “Testit B”.

“Është një lajm i rremë. Mos e merrni shumë për bazë”, ka thënë ai për “Panorama Sport”, pasi u tha se kampionia ka përdorur substanca të ndaluara.

“Unë, Gaz Hakçani, bashkëshorti i Romelës, e jap me jetë se ajo nuk ka përdorur “Stonazolol”. I gjithë problemi është se, Shqipëria është një vend me 3 milionë banorë. Dua vetëm t’ju shpjegoj diçka: Romela në 2014-ën është akuzuar për këtë substancë të mallkuar, “Stonazolol”, i cili kërkon 7-8 muaj të dalë nga trupi i njeriut. Tani më thuaj, nëse është kjo një çmenduri apo jo dhe po të them për çdolloj individi, çdolloj sportisti, apo qoftë edhe një punëtor krahu, që të djegë veten?! Kjo është një çmenduri! Fatkeqësia është se Shqipëria, një vend me 3 milionë banorë, del dhe triumfon mbi vende shumë herë më të mëdha, si Kolumbia e Amerika, por në fund del Romela pozitive me “Stonazolol””, ka shtuar ai, përcjell albinfo.ch.

Ai ka paralajmëruar edhe për masat e ardhshme. “Ne i kemi shpenzuar 40 mijë euro, herën e parë. Shpresojmë që të shpenzojmë edhe nja 40 mijë të tjera. Dhe, në fund fare, nëse e humbim edhe këtë kauzë, e di çfarë na ngelet për të bërë: të ikim nga kjo Shqipëri, të zhdukemi! Sepse këtu ka shumë njerëz që kanë marrë azil politik. Mbase edhe ne mund të dalim në azil politik. Pastaj, nëse dikush e ngre flamurin, siç bëri Romela, pa “Stonazolol”, le ta gëzojë!”, theksoi ai.