Jeta në Zvicër

Kandidati i SP-së, Isuf Sherifi, në ballë të demonstratës për t’i thënë “jo” iniciativës për dëbimin e të huajve

Poeti Isuf Sherifi ishte të shtunën njëri nga shumë marshuesit shqiptarë që mbanin në dorë banderolen e gjatë të shkruar: “Ne i themi jo iniciativës për zbatim”. Ai e kundërshton fuqishëm iniciativën e Partisë Popullore Zvicerane që kërkon dëbimin të huajve me automatizëm.Kjo demonstratë është organizuar nga grupi “Manifest für Rechtsstatt St. Gallen” dhe ka mbledhur vetëm brenda tri ditësh qindra demonstrues që marshonin rrugëve të St. Gallenit me pankarta për t’i thënë një jo të madhe kësaj iniciative.

Politikani me prejardhje shqiptare, Isuf Sherifi, garon në listën e SP-së 09 me numër rendor 29. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të gjerë me të mbi hollësitë e aktiviteteve të tij politike. Sherifi flet rreth angazhimit të tij politikë që nga koha e tij studentore, burgosja politike dhe gara e tij në politikën zvicerane. Atëherë kush është Isuf Sherifi, pyesim ne kandidatin që synon një ulëse në parlamentin kantonal.

I.Sherifi: Kam lindur më 1967 në Tetovë. Jam fëmijë i prindërve shqiptarë të Anamoravës, e që në vitet e 50 – ta nga zullumi rankoviçian ia kishin mësyrë Anadollit, por që fati kishte dashur megjithatë që ata të zënë vend dhe të rinisin jetën sërish, po në një pjesë të tokave shqiptare. Vij nga një familje „kryengritësish“, armiq të padrejtësive dhe pushteteve totalitare dhe kriminale dhe besoj që mjafton kjo.

Albinfo.ch: Për ty po, por për lexuesit e Abinfo.ch dhe për votuesit e zonës ku keni konkuruar mbase nuk mjafton. Çfarë mund të na thoni më tepër rreth jetës suaj.

I.Sherifi: Shpjegimin shkurt të gjërave të së kaluarës sime nuk e kuptoj si varfëri të së kaluarës, por etje për t`u ballafaquar më shumë me të tashmen dhe të ardhmen. Po e plotësoj. Kam disa libra poetikë dhe monografikë të botuar. Ndërmjetësues kulturor i vetëshpallur (qesh). Jam i diplomuar si Ekspert për Migracion. Ka mbi 15 vjet që punoj në fushën e azilit. Mbi 23 vjet që jetoj në Zvicër. I martuar, prind i dy fëmijëve.

Albinfo.ch: Sipas jush, si duket e tashmja dhe e ardhmja e mërgimtarit shqiptar?

I.Sherifi: E tashmja është rruga që ia kemi shtruar vetes në të kaluarën. Me të mirat dhe të këqijat e së kaluarës, ne ballafaqohemi edhe sot. Atë që kemi mbjellur dje, e korrim sot, atë që po mbjellim sot, do ta korrim pa dyshim nesër. Tani tek e sotmja: Për mërgimtarin, emigrantin shqiptar, e sotmja është perspektiva që kemi synuar dje. Kjo perspektivë, kjo e tashme nuk është kënaqshme edhe pse shikuar në tërësi, del të jetë e përshkruar me rezultate  megjithatë shpresëdhënëse. Unë nuk dua të flas në aspektin global helvetik, por dua të ndalem tek mostrat që shpërfaqen në Kantonin St. Gallen, konkretisht në Zonën Elektorale ku kandidoj unë. Këto mostra flasin për një rizgjim të mërgimtarit, migrantit shqiptar në angazhime kolektive. Do të ndihesha edhe më mirë, nëse i gjithë potenciali që kemi ne si shqiptarë në Kantonin St. Gallen të koordinohej më mirë. Angazhimet në këtë drejtim janë në rrjedhë e sipër, dhe unë shpresoj shumë në gjetjen e një harmonie të qëndrueshme.

Këtu pra mendoj që nis edhe rrëfimi konkret për të ardhmen tonë si komunitet, ngase të jetosh në Zvicër nuk është fare lehtë. Nga larg dhe nga lart duket gjithçka mirë, gjithçka lehtë, fenomenale, i ngjan një parajse të vërtetë, nga shumëkush të ëndërruar. Por, kjo „parajsë“ nëse shikohet nga afër, nëse jetohet me të dhe në të, i sheh edhe therrat dhe shkurrishtet e saja. Dhe, pikërisht herrja e këtyre therrave dhe shkurrishteve ka edhe çmimin e vet. Do angazhim të përditshëm. Nuk ka mundësi që punën e sotme ta lësh për nesër. Nuk ka mundësi të pretendosh të jetosh në këtë „parajsë“, dhe të mos angazhohesh, që kjo të duket, por edhe të përjetohet me kënaqësi. Askush nuk të falë asgjë, e aq më pak, kur kemi të bëjmë me të ardhmen tonë. Ne si komunitet duhet angazhuar më shumë, të jemi më afër atyre që nuk janë në rrjedha të ngjarjeve politike dhe kultutore. Pos integrimit në shoqërinë ku jetojmë, duhet edhe participim. Pa participim në zhvillimet e shumëllojshme të vendit, nuk mund të pretendojmë që të merremi seriozisht nga vendi dhe shoqëria e këtij vendi.

Albinfo.ch: Atëherë, cila është mënyra më e duhur për të qenë pjesë e këtij participimi?

I.Sherifi: Nuk mendoj se ka një mënyrë, por ka shumë të tilla. Duke u nisur nga raportet e mira ndërfqinjësore në vendbanimin tënd, nga raportet që krijohen në shkolla nga fëmijët e tu, apo edhe raportet prindër – mësimdhënës, raportet shoqërore në vendet e punës, sjelljet korrekte dhe menaxhimet korrekte të sfidave që sjell përditshmëria jonë. Mendoj që ne si individë dhe si kolektivitet duhet punuar më me ngulm dhe dashamirësi për këso situata dhe gjendje konstante pozitive në të ardhmen.  Për aq sa kemi kontribuar deri më tani, në fusha të ndryshme kulturore dhe projekte integrative, dhe  sidomos më 2015 dhe në fillim 2016 edhe në projekte politike, na lejon të shpresojmë se mund të marrim edhe përgjegjësi të tjera më të mëdha. Këto që thashë kanë kuptim vetëm nëse arijmë t`i bëjmë si kolektivitet.

Albinfo.ch: Na përshkruani pak më konkretisht, ju lutem?

I.Sherifi: Shumica jetojmë dhe bëjmë sikur nuk dimë se ç`po ndodh rreth nesh. Kjo duhet të marrë fund. Ne duhet t`i japim fund ndjenjës se jemi të huaj dhe nuk jemi ata që vendosim për fatin tonë. Ne duhet të kërkojmë me ngulm, që gjërat të ecin pozitivisht përpara. Përderisa kemi, që jetojmë sot e afro  50 vjet në Zvicër, nuk guxojmë të heshtim para mundësive ligjore që kemi, që të jemi pjesë e bërjes së politikave, duke filluar nga ato më të thjeshtat,  siç janë angazhimet në politikat shkollore e të shoqatave të ndryshme, e deri tek ato të sindikatave, atyre komunale, duke shkuar tek ato kantonale e  federale.  Ne nuk guxojmë të shikojmë tutje, larg nesh, pa shikuar afër nesh,  pa bërë punën tonë, për interesa tonat të përgjithshme, për interesa të fëmijëve tanë sidomos, dhe të atyre që do të vijnë pas nesh. Ndejtja duarkryq e lidh keq fatin tonë si komunitet,  por edhe si migrantë në përgjithësi. Ua lidh duart edhe atyre subjekteve që qasjen ndaj të hujave e kanë me përzemërsi dhe njerëzi.

Albinfo.ch: Ky shpjegim i gjërave kështu siç thoni ju, duket të ketë qenë edhe nxitja kryesore që ju ka shtyrë të jeni pjesë përbërëse e politikës zvicerane.

I.Sherifi: Angazhimi im në politikën e vendit ku jetoj nuk është një angazhim spontan, por ka prejardhjen tek angazhimet e mia afro 30-vjeçare për mirëqenie më të mirë sociale, për më shumë të drejta të shqiptarëve në ish – Jugosllavi, të drejta këto që ndërthurreshin me të drejta për më shumë gjuhë, arsim dhe kulturë shqipe, për të drejta politike për të vetëvendosur, për të drejta kombëtare që na mohoheshin në mënyrë të egër dhe, sipas meje, në shumë pjesë të vendlindjes vazhdojnë të mohohen edhe mëtutje.

Ishte koha që në vendin ku jetoj të kap mundësinë e bërjes politikë në subjektin që isha i përafërt me ide dhe bindje të njëjta socialdemokrate. Nëse rishikojmë ecejaket e politikave sociale, familjare, arsimore, edukative, zhvillimore në Zvicër, del që subjekti ku bëj pjesë unë është prijëse e thyerjes së bllokadave politike, që shpien drejt të drejtave për të huajt që i potencova më lart. Shembull : Pa këmbënguljen e këtij sukbjekti nuk do të ishte bërë kurrë i mundur bashkimi familjar i punëtorëve me status sezonal, që ndërtuan Zvicrën me aq mund dhe pasion. Këtu kujtojmë pa dyshm numrin e madh të shqiptarëve nga ish – Jugosllavia që përfituan nga kjo iniciativë, që poashtu  nuk ishte e lehtë për të kaluar. Është dashur që pupulli zviceran në intervale të ndryshme kohore, tri herë të dalë në referendum dhe tek në të tretën herë ka mundur të kalojë iniciatiava e tillë.

Albinfo.ch: Në qarqet letrare të St. Gallenit njiheni si poet, por edhe si botues i letërsisë zvicerane te ne. Cili është angazhimi yt në këtë drejtim?

I.Sherifi: Që angazhimi im, pos politik, ka qenë edhe kulturor, këtë tanimë e kemi të dokumentuar. Që angazhimi im ndërletrar në Zvicër e ka zanafillën para angazhimit politik në Partinë Socialdemokratike në Zvicër, ia vlen ta themi për korrektësi ndaj lexuesit dhe votuesit tim. Ky angazhim letrar dhe ndërletrar ka pasur burimin te pasioni im për letërsinë, ndërsa puna e bërë kap një gamë të madhe pasionantësh të librit, duke filluar nga vetë krijuesit që kanë pranuar një bashkëpunim të tillë, e duke vazhduar nga financuesist e librit, që janë insitucione kulturore të Zvcirës (më shumë)  dhe Kosovës, (më pak), mecenë lokalë privatë, e deri tek realizuesit konkret të këtyre ideve. E realizuesit janë shumë. Po i përmend vetëm disa prej tyre: Agush Buja e Adnan Asllani në Zvicër, Hans Joachim – Lanksch e Mimoza dhe Ferdinand Laholli në Gjermani, Avni Dehari e Fatmir Arifi në Prishtinë, Salajdin Salihu e Ekrem Ajruli në Tetovë, Shaban Sinani e Naim Zoto në Tiranë, e shumë e shumë të tjerë. Pa këta, pa angazhimin edhe të dhjetërave të tjerëvë, nuk do të ishte ky sukses çfarë është. Shtysa e mëtutjeshme e këtyre angazhimeve, siç ishin në të kaluarën, vazhdojnë të mbeten edhe tani, janë  miqtë e mi të dashur, letrarët zviceranë –   Ivo Ledergerber dhe Fred Kurer. Kam mësuar shumëçka nga ta. Ju jam mirënjohës çdo herë.
Se cili është angazhimi im i mëtutjeshëm letrar dhe ndërletrar në këtë drejtim, tanimë dihet edhe publikisht. Meqë jam edhe kryetar i SHKSH „Mëmëdheu“, ne kemi synime që botimin e librit ta vazhdojmë edhe mëtutje. Viti 2015, por edhe fillimviti 2016, kishte në vijë të parë botimin dhe shpërndarjen e librit „MASHTRIMI I MADH“ i autorit Bardhyl Mahmuti, për çka kontributi i Shoqatës dhe i sekretarit Agush Buja kanë qenë i pazëvendësueshëm. Projekte të tjera, të shumëllojshme, për shkak të kostove të tyre kanë mbetur hapur dhe presin përjetësimin e tyre, që t`i bashkangjiten familjes së projekteve të realizuara, konkretisht, financimit dhe botimit të librave shqip dhe atyre dy gjuhësh, e që janë me dhjetëra e dhjetëra tituj.

Albinfo.ch: Të kalojmë te kandidimi yt si socialdemokrat në një listë të përbashkët me të rinjtë socialdemokratë dhe sindikatat. Cilat janë synimet tuaja? Çka më tutje, nëse votuesit me votat e tyre kanë vendosur t`u bëjnë deputet në Parlamentin Kantonal?

I.Sherifi: Kandidimit tim i ka paraprirë angazhimi im mbi 10-vjeçar në këtë parti, e ka përforcuar angazhimi konkret imi dhe i komunitetit shqiptar në Zonë të St. Gallenit për Etri Hasler para 4 vjetësh, si dhe në kanton, në fushatën për Arbër Bullakajn, në vitin 2015. Oferta ka qenë e partisë, por për shkaqe shëndetësore e refuzova herën e parë. Kur kjo ofertë erdhi dhe herën tjetër, duke e parë që SVP shënoi ngritje në nivel Zvicre, mora guximin që megjithatë, pavarësisht shëndetit, të angazhohem dhe të jap kontributin tim, që së pakut në nivel kantonal dhe zone të jemi më të fuqishëm. Paraprakisht kemi bashkërenduar mendimet dhe angazhimet edhe me Arbër Bullakajn, nënkryetar i patisë në nivel kantoni, e edhe me Komitetin Mbështetës, e tani, dhe  pas bërjes publike të kandidaturave tona, edhe me kandidatë të tjerë shqiptarë, për çka lexuesi dhe votuesi shqiptar është mirinformuar me kohë edhe nga Albinfo.ch.  Ofertat e mia nuk janë të dryshme nga ato që ne i kemi definuar si parti. LIRI MË TË SHUMTA NJERËZORE, MË SHUMË VENDE PUNE, ARSIMIM dhe SHËNDETËSI MË TË MIRË,  janë disa nga kryeofertat që i kemi për votuesit tanë, duke mos lënë mënjanë asgjë që është në interes për qytetarin dhe njëherësh, duke mos lënë pa kritikuar dhe iu kundërvënë çdo gjëje që bie ndesh me interesat e qytetarit. Keni parasysh Iniciativën për Zbatim të Dëbimit (gjerm.  Durchstzungsinitiative), sa monstruoze është vetëm në letër, e lëre më sikur të zbatohet ! Pra, ne kemi forcuar angazhimet si socoialdemokratë dhe kemi vënë në disponim shumëçka tonën që të refuzohet kjo iniciativë. Duke qenë monstruoze dhe diçka që e zhbën shtetin ligjor, ajo nuk guxonë të kalojë, sepse zbërthyer pa zhargone politike, kalimi i kësaj iniciative njëkohësisht mund të interpretohet edhe si „lizenz zum töten“. Kjo „licencë“  ligjin e zbret në „rrugë“, e shpie në asgjëkund, aty ku as avokatë e as gjykatës nuk kanë mundësi të merren me ty, të ndihmojnë, respektivisht të ndajnë drejtësinë, ngase je i paragjykuar për deportim, pavarësisht je apo nuk je kiriminel, ke apo nuk ke faj.

Albinfo.ch: Kanë mbetur edhe pak ditë, deri më 28 shkurt. Cili është angazhimi yt dhe i grupit, apo Komitetit Mbështetës të kandidaturës tuaj në ditët në vijim.

I.Sherifi: Më parë se të flas për atë se çfarë do të bëjmë,  në radhë të parë unë dua t`u shpreh mirënjohje të veçantë, në grup, por edhe secilit veç e veç, për mbështjetjen e dhënë tanimë e një kohë të gjatë kandidaturës sime dhe mua si Isuf personalisht. Unë, pa këtë mbështetje, nuk do të kisha mundësinë të jem më afër votuesve të mi, pa mbështetjen e tyre të përditshme, unë nuk do të mund të isha më afër me artikulimet e mia politike, të shpalosura që në fillim të fushatës sime. Unë shpresoj që votuesit e mi të jenë të shumtë, si nga komuniteti shqiptar, edhe ai zviceran e të tjerë, pra, nga të gjithë ata që kanë menduar dhe vazhdojnë të mendojnë se unë edhe si parlamentar do të jem përkrah kërkesave dhe nevojave të tyre të përgjithshme. Asgjë nuk do të bëj jashtë premtimeve të dhëna, asgjë jashtë asaj për çka jam përcaktuar me program dhe me premtime në kontakte me votues dhe bashkëqytetarë. Asgjë që bie ndesh me interesat e komunitetit dhe votuesit të cilit i përkas.

Albinfo.ch: Për fund, cili është mesazahi juaj i fundit për ata që ende hamenden se kujt duhet dhënë votën?

I.Sherifi: Mesazhi im është paksa i gjatë. Ju drejtohet votuesve dhe atyre që ende nuk kanë të drejtë vote. Ejani të punojmë bashkërisht për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët, si komunitet dhe si qytetarë të një shteti të përbashkët. Shfrytëzoni çdo mundësi dhe formë bashkëpunimi me kandidatët shqiptarë kudo ku janë ata, sepse kanë nevojë për ndihmën e secilit prej jush. Askush të mos mendojë që ata vetëm mund të ecin drejt profilizimit të tyre politik në Zvicër. Sa më e madhe mbështjetja, aq më i madh suksesi dhe sa më i madh suksesi i secilit prej nesh, aq më afër vetevtes, aq më afër relaitetit dhe përditshmërisë do të jemi. Qytetarët me të drejtë vote duhet që, sidomos përmes postës (para 25 shkurtit)  dhe duke votuar drejtpërdrejt te vendvotimi i tyre, deri më 28 shkurt, në orën 10 paradite, ta thonë JO-në e vetë kundrejt Iniciativës për Zbatim të Dëbimit dhe nuk duhet hamendur për këtë, edhe nëse dalin zëra të të huajve të natyralizuar që mund t`ua trubullojnë mendjen dhe t`i ftojnë për PO,  e që të tillët mund të flasin edhe shqip. Të tillët që predikojnë PO-në e bëjnë vetëm e vetëm nga ndjenjat inferiore që kanë ndaj përkatësisë së vendit të prejardhjes dhe ndoshta edhe nga urrjejta që kanë ndaj të huajve në Zvicër, ndaj të huajve të shumtë të sjellshëm dhe të ndershëm. Të tillët nuk e kanë fokusin te kriminelët që edhe ashtu, gjithmonë, në çdo kohë, Zvicra i ka larguar drejt vendit të prejardhjes, edhe pse edhe kjo formë disa herë ka lënduar rëndë të drejtat e njeriut. Ajo që ata padyshim duhet bërë është që ata gjithsesi duhet votuar edhe kandidatët e tyre të preferuar në nivel kantoni, varësisht nga zona. E ata mund të jenë : Jona Xhemajli (SP) dhe Veton Rasaj (CVP) e Etrit Hasler (SP) në Zonën e St. Gallen – Gossau, Adelina Muhagjeri (SP) në Zonën Zgjedhore të Rorschahut, Egzon Zhuta (FDP) në Zonën Zgjedhore të Rheintalit sie dhe Arbër Bullakaj (SP) në Zonën Zgjedhore të Wilit.


 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriIsuf  Sherifi
  • Prejardhja:Tetovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Poet dhe politikan