Integrimi

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” flet gjermanisht dhe “Andorra” e Max Frisch-it, shqip

Me "Kanunin" në gjuhën gjermane dhe "Andorra" në gjuhën shqipe janë promovuar dy libra që pritet të pasurojnë këmbimet kulturore në mes të shqiptarëve dhe zviceranëve

Nye i njizeteparë

Gatimi i darsmes në Kanun.
§. 45. Per darsem do të gatohen:

a) Kau i darsmes do të qesë 100 okë mish e vjamë;

b) Nji barrë miell kallamoqit;

c) 4 babune grunë – miell grunit;

d) 12 okë sheqer; 

e) 8 okë oriz;

f) 4 okë mjalët;

g) 10 okë djathë

h) 2 okë tlyen;

i) 3 okë voj të butë;

j) 70 okë raki.

V.O. heret në vend të rakis ishte vena.

Kuptimi i këtij pasazhi të projektuar në ekran, me përkthimin sqarues në gjuhën gjermane, duket surrealist në pamje të parë. Por ai paraqet një “nye”, një element të vogël nga thesari i të drejtës zakonore shqiptare, të përmbledhur brenda “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, që me titullin “Kanun” u botua dhe u promovua në Lucern të Zvicrës.

Një sallë e mbushur përplot, në një mbrëmje promovimi librash. Diçka që nuk ndodh shpesh në aktivitete të këtij lloji, ndodhi në mbrëmjen e 25 marsit në Lucern ku u promovua përkthimi në gjermanishte i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” dhe përkthimi në shqipe i dramës “Andorra” të shkrimtari të njohur zviceran Max Frisch.  Të parin e ka përkthyer Bardhec Berisha ndërsa të dytin Mehmet Haxhosaj, të dy krijues që jetojnë në Lucern.

Bëhet fjalë për dy libra që lidhje të vetme mes vete kanë funksionin që pritet ta kryejnë, këmbimin në mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane në dy kahet. Ndërsa vetë aktiviteti i promovimit ka tërhequr krahas publikut shqiptar, edhe një numër të konsiderueshëm zviceranësh, të interesuar për kulturën shqiptare.

Autori i përkthimit të Kanunit, Bardhec Berisha ka prezantuar para të pranishmëve motivet që e kanë shtyrë atë që t`i hyjë një pune kaq vëllimore dhe ka folur për rrjedhën e punës deri në kurorëzim të saj. Ai ka vënë theksin në rëndësinë që “Kanuni…” ka si një monument kulturor dhe ka përkujtuar se ky kodeks ka rregulluar gjithë jetën shoqërore të shqiptarit ndër shekuj, atëherë kur mungonte ligji ose rregullimi juridik. Në këtë kuptim, Berisha ka sqaruar se në mesin e laikëve, shqiptarë dhe të tjerë, kanuni shpesh pa të drejtë reduktohet në gjakmarrjen. “Është madje e kundërta, Kanuni me masat që parasheh, synon zgjidhjen për rastet e gjakmarrjes”.

Këtë qëndrim e mbështet edhe botuesi i librit në gjuhën gjermane, Martin Schällebaum nga shtëpia botuese “Xenia”, i cili në parathënien e botimit i bën një vlerësim të lartë Kanunit për kohën kur është praktikuar dhe kur është përmbledhur.

Kërkesa të shumta për “Kanunin” në hapësirën gjermane

Berisha ka theksuar për albinfo.ch se botimi “Der Kanun” është përkthim i plotë dhe i vetmi me të drejtë të autorit, të cilën e ka dhënë Rendi Françeskan i Shkodrës, si botues në vitin 1933 i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” të përpiluar nga Atë Shtjefën Gjeçovi.

“Po ashtu duhet thënë se përkthimi ekzistues, i cili është bërë në vitin 1937, pra vetëm pak vite pas botimit të origjinalit, ishte një përkthim i fjalëpërfjalshëm (tekstual) dhe jo sa duhet i përshtatshëm për lexuesin gjerman”, ka theksuar Bardhec Berisha. Ndërsa ai beson se kërkesat në hapësirën gjermane për këtë libër, janë të shumta. “Kemi kërkesa edhe nga njerëzit e ligjit, të cilët përballen me raste gjyqësore kur u duhet t`i referohen ndikimit të kanunit. Përmes këtij botimi, ata do ta kenë më të qartë implikimin e kësaj të drejte të lashtë zakonore edhe në kohën e sotme. Pastaj qysh tash kemi porosi edhe nga studentë dhe studiues të shkencave juridike, shqiptarë e zviceranë, për ta pasur këtë libër”, përfundon Berisha.

Një punim interesant mbi kanunin e ka lexuar studentja zvicerane, Jessica Prince. Ajo, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” e ka pasur si temë diplome dhe për ta realizuar, ka udhëtuar në Kosovë, ku është njohur me praninë e të drejtës zakonore ndër shqiptarët e sotëm. Jessica ka konstatuar se kanuni në kohën e sotme vjen sigurisht shumë i zbehur por megjithatë në mjedise të izoluara, rurale ai bën ende jetën e vet, ndonëse të reduktuar. Citime nga Kanuni, sikur ai “grueja âsht shakull për me bajtë”, flasin megjithatë për një qëndrim diskriminues ndaj gruas që ka pasur Kanuni, thotë Prince.

“Andorra” dhe Max Frisch ndër shqiptarët

Libri i përkthyer shqip “Andorra” i shkrimtarit zviceran Max Frisch që u promovua po të njëjtën mbrëmje, ndonëse për shqiptarët jo aq i njohur sa “Kanuni…” ka ngjallur po ashtu interesimin e publikut. Autori i përkthimit, Mehmet Meti Haxhosaj ka lexuar disa pasazhe nga ky libër që ka një prani shumë të madhe në arealin kulturor zviceran e gjerman por që njihet pak nga shqiptarët.

Haxhosaj thotë për albinfo.ch se deri tash ky është libri i parë i botuar në gjuhën shqipe i autorit të madh zviceran, Max Frisch. “Si student i gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës pata shfaqur habinë për mungesën pothuaj të plotë të Frischit në hapësirën shqiptare kur dihet vlerësimi i lartë që ai gëzon në letërsinë në gjuhën gjermane. Kjo më shtyri që t`i hy përkthimit të njërës ndër kryeveprat e tij, dramës “Andorra”, për t`ia sjellë lexuesit shqiptar një vepër me vlerë të konfirmuar letrare, të cilin e ka botuar një botues serioz siç është “Buzuku”. Po ashtu duhet theksuar se për botimin shqip e kam siguruar të drejtën nga botuesi i njohur gjerman Suhrkamp”, thotë përkthyesi. Ai shton se është në bisedime me disa teatro të Zvicrës gjermane rreth mundësisë së vënies në skenë të kësaj drame, në gjuhën shqipe.

Për fund

Nëse vlerësimi i librave të promovuar të shtunën që shkoi në Lucern i mbetet kohës dhe lexuesit, akti i promovimit të tyre ishte një vepër arti në vete. Faqe të “Kanunit…” të projektuara në ekran, me sqarimet përkatëse në gjuhën gjermane, shoqërimi i shkëlqyer muzikor me kitarë dhe këndim nga Besart Berisha, deklamimi i pasazheve të Kanunit nga Roza Berisha dhe Gjina Salihu, gjermanisht dhe shqip, recitimi dhe prezantimi nga Pablo Huber, redaktor në revistën “Kulturmagazin”, deklamimi po ashtu me nivel nga Mehmet Haxhosaj, i pjesëve të dramës “Andorra” dhe elemente tjera të ndërthurura mirë, e kanë shndërruar këtë mbrëmje në një përjetim artistik çfarë nuk shohim shpesh në aktivitetet tona në Zvicër.

 (Fotot: Bujar Berisha)