E-Diaspora

Kapen dy të dyshuarit për vrasjen e shqiptarit nga hakmarrja

Personi i vrarë ishte një azilkërkues 46 vjeçar nga Shqipëria. Ai kishte mbajtur burgun në Shqipëri për shkak të një vrasjeje. Familjarët e viktimës kishin shpallur se do të merrnin hakun për të

Pas vrasjes së një shqiptari, që pati ndodhur më 29 janar të këtij viti para objektit të një shkolle në Visselhövede, Gjermani, është kapur sot personi i dytë i dyshuar, njofton agjencia e lajmeve, dpa.de. Fjala është për një shqiptar 24 vjeçar, i cili është zënë nga policia në Amsterdam, Holandë, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar, për pjesëmarrje në vrasje, transmeton albinfo.ch. Ende nuk dihet nëse ai ka pranuar pjesëmarrjen në krim.

Vetëm një ditë më parë në Hanover, Gjermani ishte arrestuar një shtetas shqiptar tjetër, 22 vjeçar lidhur me po këtë vrasje që pati ngjallur pezëm ndër qytetarët për faktin se ishte kryer para shkollës dhe kishin pasur mundësi ta shihnin edhe nxënësit.

I arrestuari i djeshëm tashmë e ka pranuar pjesëmarrjen në vrasje.

Personi i vrarë ishte një azilkërkues 46 vjeçar nga Shqipëria. Ai kishte mbajtur burgun në Shqipëri për shkak të një vrasjeje. Familjarët e viktimës kishin shpallur se do të merrnin hakun për të, përcjell albinfo.ch. Për këtë arsye vrasja e tij në Gjermani konsiderohet si vrasje për gjakmarrje.

Kapjes së dy të dyshuarve për vrasjen i ka paraprirë një aksion i gjerë i koordinuar në mes të Gjermanisë, Shqipërisë dhe Holandës, me ç`rast janë bastisur 24 objekte.