E-Diaspora

Kënga “Mjaft”, një apel në mbrojtje të lumturisë së fëmijëve

Kënga e Orhan Ibrahimit dhe Artan Kastratit i thotë “Mjaft” çdo gjëje që kërcënon lirinë, paqen dhe lumturinë e fëmijëve

Orhan ibrahimi është nga Shkupi, qytet ku ka mbaruar gjithë shkollimin, përfshirë edhe studimet në lëmin e psikologjisë. Ai që nga viti 2006 jeton në qytetin Rapperswil të Kantonit St. Gallen, Zvicër. Këtu punon në profesionin e vet, si pedagog social në institucionin për fëmijë me aftësi të kufizuara mendore “Johaneum”.

Kaq sa i përket profesionit të tij. Por ajo që e bën më të veçantë Orhanin është pasioni i tij për muzikën.

“Ditëve të fundit kemi përfunduar një këngë në bashkëpunim me Artan Kastratin. Këngën e kemi titulluar “Mjaft”. Po ashtu me Kastratin kemi realizuar së bashku edhe një album”, thotë për albinfo.ch Orhan Ibrahimi.

“Këngët janë kryesisht të zhanrit Rock dhe Blues ndërsa tematika e tyre është sociale. Po kështu, tematikë të fortë sociale ka edhe kënga më e re “Mjaft”, e cila ka një porosi të qartë. Ajo i thotë “Mjaft” çdo veprimi a dukurie që kërcënon lirinë, paqen dhe lumturinë e fëmijëve po edhe të njerëzve në përgjithësi, anembanë botës”, thekson Ibrahimi. Kjo tematikë me siguri lidhet edhe me angazhimet e tij ditore si pedagog social i fëmijëve me nevoja të veçanta. Nisur nga kjo, Orhani thotë për albinfo.ch se është i interesuar që kënga e tij më e re të përhapet sa më shumë, në mënyrë që mesazhi i saj të përçohet gjithandej.

Kjo këngë pulson me frymën e një himni që u kushtohet fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

 

Orhan Ibrahimi, krahas punës në profesion dhe muzikës ka dhe një angazhim tjetër: ai punon si mbikëqyrës i kategorive F në Klubin e Futbollit FC Rapperswil.