Shqipëria

Kërcënohet me jetë ministri i Diasporës

Kërcënohet me jetë ministri i Diasporës, Pandeli Majko. Lajmin e ka konfirmuar vetë Majko për median e njohur amerikane “Fox News”

Në një artikull me titull “Irani po planifikon të vendosë terror në Europë, ndërkohë që ‘BE po përpiqet të mbrojë regjimin nga shtyrja e sanksioneve të Trump”, thuhet se zyrtarë amerikanë e kanë paralajmëruar duke i thënë se duhet të rrisë sigurinë ‘pas zbulimit të një kërcënimi kundër tij’.

“Ka edhe shqetësime rreth pranisë së regjimit në Shqipëri, ku disidentët u thanë Fox News se ambasada iraniane po punon dhe ka dërguar nëpunës të lartë të inteligjencës. Shqipëria është e rëndësishme, sepse ishte vendi ku më shumë se 2.000 disidentë iranianë që i përkisnin Muxhahidit të Popullit të Iranit (MEK) u zhvendosën nga Iraku në 2016, raportojnë mediat shqiptare.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran (NCRI) tha se regjimi donte t’i vriste ata në Irak dhe dështimi për ta bërë këtë shënoi një “pengesë të madhe” për regjimin, përcjell albinfo.ch.

Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko zbuloi për Fox News se zyrtarë amerikanë i kanë thënë se duhet të rrisë sigurinë pas zbulimit të një kërcënimi kundër tij. Ndërsa tha se strategjia e Iranit në rajon është “e pashembullt”, ai tha gjithashtu për Fox News se “Nuk kam frikë””, thuhet në artikull.

Muajin e kaluar, një diplomat iranian në Vjenë ishte një nga katër të arrestuarit për një komplot të dyshuar për të bombarduar një tubim vjetor të grupeve iraniane disidente në Paris, të ndjekur nga avokati Trump Rudy Giuliani.

Wall Street Journal raportoi se autoritetet holandeze përjashtuan dy diplomatë iranianë në korrik lidhur me vrasjen e një disidenti iranian, i cili u vra në Hagë në nëntor.

Një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit i konfirmoi Fox News se autoritetet shqiptare arrestuan dy operativë iranianë mbi akuzat e terrorit në fillim të këtij viti.

“Irani ka një histori të gjatë në 39 vitet e fundit të kryerjes dhe planifikimit të vrasjeve dhe veprimeve terroriste kundër kundërshtarëve të regjimit iranian, duke përfshirë një seri vrasjesh dhe sulmesh në vitet e fundit në vendet evropiane”, tha zyrtari.

Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha në një deklaratë për Fox News se nuk ka dyshim se komplotet vijnë nga udhëheqja e regjimit.

“Komplotet e regjimit iranian në Shqipëri dhe në Paris ishin të ngjashme me operacionet që ISIS kreu për të synuar turmat e mëdha dhe për të shkaktuar dëme në një numër të madh njerëzish në të njëjtën kohë”, tha ai në një deklaratë për Fox News.

“Këto komplote u vendosën dhe u planifikuan në një trup, përkatësisht në Këshillin e Lartë Kombëtar të Sigurisë. Këto komplote u miratuan nga Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i regjimit dhe u ulën në MOIS për t’u kryer”, ka shtuar ai për Fox New.