Kosova

Kërkohet ndihma e NATO-s për t’i bindur serbët për ushtrinë

Kosova edhe zyrtarisht ka kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës për ta bindur Listën serbe për transformimin e FSK-së.

Ministri kosovar i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, e ka bërë këtë kërkesë në konferencë “FSK-ja dhe partnerët”, ku ka kërkuar përfshirjen e tyre që të bindin Listën serbe të jetë pjesë e transformimit të FSK-së, në mënyrë që forca të mos jetë vetëm konsumues i sigurisë, por dhe kontribuues proaktiv i saj.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Kosova është shtëpi e të gjitha komuniteteve, andaj edhe shndërrimi i saj në ushtri do të jetë në favor të sigurisë së tyre. Mbështetje për krijimin e një force multietnike në Kosovë ka dhënë edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral major, Salvatore Cuoci. Ai ka përmendur aktivitetet e përbashkëta me Forcën, e të cilat, sipas tij, janë provë e profesionalizimit të FSK-së.