Kosova

Kërkohet plotësim-ndryshimi i ligjit për të pagjeturit

Në nisje të javës përkujtimore për të pagjeturit në Kosovë, Komisioni parlamentar ka kërkuar që sa më parë të procedohet plotësim-ndryshimi i ligjit për të pagjeturit.

Anëtarja e këtij komisioni, Saranda Bogujevci, ka thënë se si komision, njëra nga kërkesat e para që kanë pasur nga familjarët ka qenë ndryshimi i Ligjit për të Pagjeturit.
Derisa ka bërë të ditur se në ditën nacionale të personave të pagjetur, më 27 prill, do të dalin me rekomandime specifike për punën që duhet bërë që të zbardhet fati i të pagjeturve, përcjell albinfo.ch.

Kryekuvendari, Kadri Veseli, ka thënë se Serbia mban përgjegjësinë e plotë për shkatërrimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Ai ka deklaruar se nuk do të ndalen së kërkuari të drejtën për kthimin e të pagjeturve. “Të mos mendojë ndokush se do të harrojmë ose do ta lëmë anash këtë plagë, e cila na është shkaktuar nga Serbia”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, ka theksuar se kjo javë sjell në kujtesë vuajtjen e dhimbjen, për çka ka inkurajuar familjarët që të kenë forcën, kurajën dhe të shohin përpara dhe t’i dalim përballë kësaj teme të dhimbshme që ka Kosova.

Familjarët sërish kanë kërkuar nga qeveria që t’u bëhet presion ndërkombëtareve, në mënyrë që këta të fundit t’i bëjnë presion Serbisë për t’i kthyer trupat e familjareve të tyre.

Deri sa homazhe tek përmendorja që u dedikohet të gjithë të zhdukurve në Kosovë, kanë bërë edhe Komisioni Qeveritar për persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizata të tjera. Po ashtu homazhe kanë bërë edhe ambasadori i Francës dhe ai i Zvicrës.