E-Diaspora

Kërkojnë mbrojtje me armë të kufijve nga refugjatët

"Mbrojtja e kufijve të Gjermanisë me forcën e armëve si ultima ratio (mjet i fundit) është diçka e vetëkuptueshme"

Partia gjermane e ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) është shprehur në mënyrë indirekte se e sheh edhe përdorimin e armëve si mundësi të fundit për mbrojtjen e kufijve nga refugjatët.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i partisë, Alexander Gauland për gazetën “Handelsblatt”. Ai ka mbështetur deklarimin që shefi i kësaj partie në landin NRW, Marcus Pretzell e kishte bërë të hënën po në këtë frymë, gjegjësisht kërkesën e tij që refugjatët të ndalohen me forcën e armëve.

“Unë këtë çështje e shoh saktësisht sikur ai”,  ka thënë Gauland. “Kufijtë tanë duhet të mbrohen në mënyrë efikase. Gjithçka tjetër është e pakuptimtë”, ka shtuar politikani gjerman.

Ndërsa Pretzell kishte deklaruar se “Mbrojtja e kufijve të Gjermanisë me forcën e armëve si ultima ratio (mjet i fundit) është diçka e vetëkuptueshme. Por, ai ka shtuar se beson që kjo nuk do të jetë e nevojshme. “Sepse kufijtë mund të sigurohen edhe me polici, gaz lotsjellës dhe vrushkuj uji”.

Partia AfD është themeluar në vitin 2013 si reaksion ndaj politikës për mbrojtjen e Euro-s. Në zgjedhjet për BE në vitin 2014 në Gjermani ajo ka fituar disa mandate mbiregjionale. Kjo parti tashmë është futur në parlamentet e landeve si Saksonia, Brandenburgu dhe Thüringeni. Në vitin 2015 ajo ka fituar mandate edhe në parlamentet e qytetve Hamburg dhe Bremen. ​