Kosova

BE kërkon nga Qeveria Haradinaj zbatimin e plotë të MSA-së

Ambasadorja Apostolova dhe shefat e misioneve të BE-së e mirëpritën fokusimin e qeverisë në agjendën evropiane, duke veçuar posaçërisht nevojën e zbatimit të MSA-së, ARE-së dhe marrëveshje të arritura në kuadër të dialogu

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe përfaqësuesit e misionit të Bashkimit Evropian të akredituar në Prishtinë, kërkuan nga Qeveria e Ramush Haradinajt që t’i zbatojë marrëveshjet e Brukselit dhe Marrëveshja për Stabilizim Asoccim me BE-në, kurse përshëndetën agjendën evropiane të Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim me përfaqësuesit e BE-së, përveç  kryeministrit Ramush Haradinaj  ishin edhe zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Kryeministri Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit prezantuan dhe nënvizuan prioritetet e agjendës evropiane dhe pritshmërinë e Qeverisë, ndërsa theksuan rëndësinë e rrugës evropiane për Kosovën.

Ambasadorja Apostolova dhe shefat e misioneve të BE-së e mirëpritën fokusimin e qeverisë në agjendën evropiane, duke veçuar posaçërisht nevojën e zbatimit të MSA-së, ARE-së dhe marrëveshje të arritura në kuadër të dialogut. Pjesëmarrësit u shprehen të kënaqur me takimin dhe u dakorduan të vazhdojnë më këtë lloj të shkëmbimeve në baza të rregullta.