E-Diaspora

Keta, në mes Munihut dhe Tiranës

Nënkampioni i botës në Kick & Tai Box, Ismail Keta sjell eksperiencën gjermane në Tiranë

Nënkampioni i botës në Kick & Tai Box, Ismail Keta, me origjinë nga Bulqiza e Shqipërisë pas themelimit të Akademisë “Deutchland Kick Box” në Mynih ka hapur edhe të njëjtën në Tiranë, si një përpjekje për të nxitur përhapjen e sportit.

Ismail Keta është 35 vjeç dhe prej vitit 1998 zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani. Nga dhjetori i vitit 2012, Ismaili është kampion i botës në Kick & Tai Box, pas një ndeshjeje spektakolare në Dyseldorf, ku mposhti që në raundet e para me “knockout” boksierin holandez, Remo Arnst.

Prej disa muajsh tashmë jeta i Ismailit është ndarë mes Mynihut dhe Tiranës, ku kërkon të përcjellë tek më të rinjtë dhe të pasionuarit frymën e marrjes me sa më shumë me sport dhe angazhimet për rezultate të larta në radhët e sportistëve profesionistë.

Ismail Keta është nga fshati Koçaj në Fushë-Bulqizë, në verilindje të Shqipërisë. Që në moshë të vogël ai ishte i dhënë pas sportit, duke u ushtruar në mënyrë sistematike me vrapime dhe shtangë.

Në moshën 20 vjeçare ai emigron në Greqi dhe një vit më pas në 1998 mbërriti në Gjermani. Përballja për mbijetesë ishte me fat për Ismalin duke arritur të siguronte një punë pjatalarësi në restorant, por pa shumë fat në debutimin e ndeshjeve të para në Kick & Tai Box, ku humbjet ishin me “knockout”.

Si një njeri me karakter të fortë, ai i pa disfatat në ring me shkak tek vetja, një vetëreflektim që i shtoi orët e stërvitjes shumëplanëshe për të kapur treguesit jo vetëm të rezistencës, por dhe skemave taktike në përballjen me kundërshtarin.

Rezultatet erdhën shpejt. Nga viti 1999 Ismail Keta u shpall kampion i Gjermanisë për tre vite rresht. Me uniformën gjermane ai arriti në nivelin e nënkampionit të botës në Kick & Tai Box më 2002.

Por ngarkesa e jashtëzakonshme dhe pasioni i zjarrtë për sportin marrin një kthesë të beftë tre vite më pas, kur Ismaili pëson një dëmtim serioz në gju, një ngjarje që ndryshon jo vetëm agjendën sportive të tij, por dhe vendbanimin, duke u vendosur në Mynih.

“Trajtimi shëndetësor për dëmtimin në gju më tërhoqi përkohësisht nga konkurrenca në ring, por asesi nga planet e mia për sportin. Akademia Deutchland Kick Box” në Mynih ka pasur dhe ka si synim kryesor përhapjen e Kick & Tai Box-it, por dhe nxitjen e të rinjve dhe të pasionuarve për të marrë sa më shumë sport”, thotë Ismaili për DW.

Në Akademinë që ai drejton vijnë më shumë se 400 persona, të rinj, njerëz të zakonshëm, por dhe personalitete të jetës publike, të cilët gjejnë kushte gati laboratorike për nivele të ndryshme të ngarkesës dhe mundësisve që ka gjithësecili që afrohet aty.

Mbajtja e lidhjeve të ngushta me vendlindjen e çoi Ismailin në një vendim të natyrshëm për të themeluar para disa muajve edhe në Tiranë Deutchland Kick Box”.

“Ndjeheshim të paplotë deri sa hapëm degën e Tiranës. Sepse kemi pasur dhe kemi bindjen që edhe në Shqipëri ka të rinj dhe të pasionuar pas sportit. U duhen krijuar kushtet të gjithëve për të qenë të shëndetshëm, për të ecur në karrierën sportive. Eksperienca gjermane fare mirë po aplikohet dhe këtu në Shqipëri dhe për këtë jam tërësisht i bindur që do të kemi rezultate konkrete. Sportin unë e shoh si një mundësi për njerëzit që të jenë me dinjitozë, më të shëndetshëm dhe më të fortë përballë çdo lloj fatkeqësie, sëmundje, rreziku të jetës etj.”

Një prej “produkteve” konkrete sportive të Ismailit si trajner është i vëllai më i vogël, Gjetani, 30 vjeç, që mbështetësit në ring e thërrasin Majk Keta.  Në vitin 2007 Gjetani ka fituar turneun e Kick Box-it në Tiranë. Pas titullit si kampion i Gjermanisë në këtë sport, ai kalon në ligën profesioniste të boksit ku bilanci i ndeshjeve është 15 fitore (14 me knockout) dhe 2 humbje.

Gazetari sportiv Dëfrim Methasani ka rreth dhjetë vite që ndjek nga afër aktivitetin e Ismail Ketës. Sipas tij, rasti i vëllezërve Keta, është modeli i sakrificave të jashtëzakonshme për sportin.

“Ata janë jo vetëm kampionë të sportit, por mbi të gjitha kampionë të vlerave njerëzore. Ismaili dhe Gjetani dinë të fitojnë një ndeshje, dinë të fitojnë trofe, por mbi të gjitha ata dine te sillen si qytetarë, si njerëz dhe si patriotë. Ndaj dhe janë të rrethuar nga miq të shumtë në Gjermani dhe Shqipëri. Kolegë të mi gjermanë më kanë përmendur shpesh vlerat që vëllezërit jashtë garave sportive. Kjo e shton popullaritetin e tyre në të dy vendet, si dy ambasadorë të sportit, kulturës dhe të integrimit evropian.”, tha Dëfrim Methasani

/DW/