Bota

Këto janë 10 shkollat më të mira të biznesit në botë

Shkollat që cilësohen më të mirat sipas kësaj renditjeje janë ato amerikane, me në krye Shkollën e Biznesit të Stanford, si më e mira në botë për të studiuar një Master në Administrim Biznesi.

Financial Times ka publikuar së fundmi udhëzuesin e saj të përvitshëm në lidhje me renditjen e 100 shkollave më të mira të biznesit për të studiuar një Master në Administrim Biznesi.

Renditja e FT-së është përpiluar duke u bazuar në përgjigjet e nxënësve dhe të dhënat e marra nga çdo shkollë, përcjell albinfo.ch.

Shkollat që cilësohen më të mirat sipas kësaj renditjeje janë ato amerikane, me në krye Shkollën e Biznesit të Stanford, si më e mira në botë për të studiuar një Master në Administrim Biznesi.

Stanfordi, i cili u rendit i dyti gjatë vitit të kaluar, sivjet shënoi rezultate më të larta në disa prej kategorive të anketës së FT-së, një prej të cilave ishte niveli më i lartë i pagës që studentët merrnin tre vjet pasi mbaronin shkollën. Studentët e diplomuar në Stanford fitojnë mesatarisht 214,742 dollarë amerikanë, rreth 114% rritje në krahasim me pagën mesatare të tyre para fillimit të kursit. Për më tepër, 87% e 95 studentëve të diplomuar në vitin 2014, gjetën punë 3 muaj pas mbarimit të shkollës.

Sic shkruan Monitor, lufta që u bë sivjet ishte ndërmjet Stanford dhe Insead, ku kjo e fundit humbi pikë dhe u rendit e dyta, në krahasim me një vit më parë që u rendit si shkolla më e mirë e biznesit në botë. Kjo shkollë biznesi, me bazë në Francë dhe Singapor, u rendit e dyta në dhjetëshen e shkollave më të mira, sepse fitoi shumë pikë në kategorinë e shkollave më të rekomanduara nga studentët.

Shkolla e Biznesit në Harvard, e cila u rendit e pesta, ishte shkolla më e rekomanduar nga studentët për vitin 2018, ndërsa Stanford ishte i dyti. Paga që marrin të diplomuarit e Insead është 177,157 dollarë amerikanë, duke shënuar rritje prej 105% krahasuar me nivelin e pagës që merrnin kur filluan studimet, edhe pse një nivel shumë më i ulët në krahasim me pagën që marrin të diplomuarit e Stanford.

Një tjetër shkollë biznesi amerikane, Universiteti i Pensilvanisë, Wharton, zuri vendin e tretë në këtë renditje. Kësaj shkolle iu shtuan shumë pikë nga kategoria e studentëve që gjetën punë tre muaj menjëherë pas diplomimit, rreth 93% e 95 studentëve.

Ky universitet u rendit i treti edhe për nivelin e pagës mesatare që studentët merrnin pas diplomimit, rreth 190,826 dollarë amerikanë, pas atij të Stanford dhe Harvard. Këtu edhe raporti ndërmjet pjesëmarrjes së studentëve meshkuj/femra ishte i ngushtë 56 me 44%.

Krahas Stanford, Insead dhe Wharton, në dhjetëshen e shkollave më të mira të biznesit u rendit edhe Shkolla e Biznesit në Londër në vend të katërt, ku paga mesatare është rritur me 109% në krahasim me periudhën përpara se studentët të fillonin studimet dhe Shkolla e Biznesit në Harvard, e cila siç e përmendëm edhe më sipër, renditet në vend të pestë dhe ku të diplomuarit fitojnë një pagë mesatare prej 192,133 dollarësh amerikanë.

Studimi  përfshin 20 kritere të ndryshme të rankimit si: sa do të jetë paga mesatare tre vjet pas diplomimit, rritja mesatare e pagave në krahasim me periudhën përpara fillimit të kursit, cilat janë disa prej shkollave më të rekomanduara nga vetë studentët, etj.

Raporti theksoi përqindjen e studentëve që kanë gjetur një punë ose kanë pranuar një ofertë për punë brenda tre muajve të parë pas diplomimit dhe përmban njëkohësisht disa të dhëna që lidhen me raportin e studentëve që u punësuan sipas gjinisë.