Lajme

Klubi i Biznesit Frankofon, mundësi për investime në Kosovë

Klubi i Biznesit Frankofon në Kosovë do të jetë mundësi e mirë për bizneset e këtyre vendeve të informohen për mundësitë e investimeve, por edhe për sigurimin e një bashkëpunimi sa më të mirë reciprok

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ftoi shtetet frankofone që të vijnë dhe të investojnë në Kosovës, pasi që shteti më i ri i Evropës paraqet siguri dhe lehtësira në të bërit biznes. Këto komente ai i bëri në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë. Mustafa vlerësoi se ky Klub do të jetë mundësi e mirë për bizneset e këtyre vendeve të informohen për mundësitë e investimeve në Kosovë, por edhe për sigurimin e një bashkëpunimi sa më të mirë reciprok.

Para të pranishmëve, kryeministri tha se ky Klub është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i përfaqësimit dhe i avokimit të bizneseve të vendeve frankofone, duke pas parasysh se këto shtete e kanë ndihmuar Kosovën në vazhdimësi në zhvillimin ekonomik dhe demokratik.

“Gjatë këtij mandati ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me odat dhe me asociacionet e bizneseve në Kosovë, dhe ju siguroj se të gjitha politikat ekonomike dhe politikat fiskale, i kemi ndërtuar me një partneritet të plotë  me këto asociacione të bizneseve dhe me biznese. Unë gëzohem që do të kemi fuqizim të këtij zëri dhe të këtij bashkëpunimi edhe me bizneset frankofone në Kosovë, dhe ju siguroj që edhe politikat e tanishme dhe politikat e ardhshme ekonomike, Qeveria dhe ministritë përkatëse, do t’i bëjnë në përputhje me interesat tona të përbashkëta që janë interesa të bizneseve dhe interesa të zhvillimit tonë”, tha kryeministri.

Duke vlerësuar anëtarët e këtij klubi dhe veçmas vendet mike, siç janë Franca, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, dhe vendet tjera, kryeministri tha se me të gjitha këto vende, Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe janë vende të cilat në vazhdimësi e kanë përkrahur zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Unë vlerësoj se Asociacionet e Bizneseve luajnë një rol tejet të rëndësishëm në sigurimin e arritjes ekonomike, në zhvillimin e qëndrueshëm, në prosperitetin tonë të përbashkët edhe ekonomik edhe social. Kjo është një përkrahje tepër domethënëse e jona, sepse lidhjet e deritanishme politike që i kemi pasur deri më tani me vendet frankofone, po i forcojmë edhe me lidhje të fuqishme ekonomike”, tha kryeministri.

Ai po ashtu ka shprehur interesimin që përmes këtij klubi të informohen bizneset frankofone për mundësitë e investimeve në Kosovë, për ambientin ekonomik, për ambientin tregtar, për ambientin fiskal, për ambientin kreditor, për infrastrukturën me të cilën disponon Kosova në mënyrë që të jenë të hapur dhe të sigurohen një bashkëpunim sa më i mirë reciprok.

“Bizneset që përfaqëson ky Klub janë numerikisht shumë të rëndësishme dhe po ashtu edhe partnerët me të cilët ne do të mund të zhvillojmë marrëdhënie. Rrjedhimisht, ia vlen që ne të gjithë së bashku të kemi një qasje afirmative për një ambient biznesi në Kosovë, dhe kjo qasje të jetë qasje e dyanshme, e interesave të dyanshëm për lidhje tona ekonomike, të cilat pastaj do të fuqizojnë edhe më tutje lidhjet tona politike dhe lidhjet tona demokratike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, më tej ka folur për stabilitetin e plotë makroekonomik, buxhetor në Kosovë, për sektorin shumë të shëndoshë bankar, borxhin më të ulët publik, fuqinë punëtore të përgatitur dhe fleksibile e cila është e re dhe shumë e përshtatshme për të përballuar programe dhe teknologji të reja.

Pjesëmarrës në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ishin edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamenatari Kadri Veseli, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, diplomatë të huaj të akredituar në Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve dhe të odave ekonomike në Kosovë.