Sport

Kololli dhe Ajeti, në listën e shënuesve në Superligën Zvicerane

Java e 19-të e Superligës Zvicerane të futbollit, në listë e shënuesve nxjerr Albian Ajetin dhe Benjamin Kolollin

 

Java e 19-të e cilësuar edhe si javë e fillimit të gjysmësezonit të dytë në Superligën futbollistike të Zvicrës, ka përfunduar pa ndonjë  befasi të madhe.

Si befasi  e vetme mund të  merret humbja e FC. Grasshopper-it vendas  ndaj FC Thun-it  0:1. Skuadra e titullarëve  Pnishi, Brahimi e Bajrami ka pësuar gol në minutën e 37-të të pjesës së parë.

FC Thun  me të kaluar në avantazh i është kthyer lojës së mbyllur në mbrojtje e aty –këtu ka organizuar ndonjë  kundërsulm.  Vendasit me gjithë përpjekjet  e njëpasnjëshme  për të shënuar kanë dështuar. Ata edhe në pjesën e dytë të lojës me sulme të organizuara mirë janë munduar të

paktën të barazojnë rezultatin por orvatjet e tyre kanë shkuar huq falë pritjeve të shkëlqyera të portierit të mysafirëve  Guiallume Faivre.

Kështu FC Thun nga ky takim ka fituar tri pikë të vlershme  të quajtura ndryshe edhe pikë të shpresës për mbijetesë. Ndërsa 3500 shikues  të mbledhur në stadiumin “Letzgrund.ch” të Cyrihut, shumica e të cilëve ithtarë të FC Grasshopper, janë kthyer në shtëpitë e tyre tejet të dëshpëruar.

FC Basel 1893 e ka arsyetuar  veten si  lider  i grupit. Ai ka mposhtur lehtë dhe bindshëm skuadrën tiçineze FC Lugano me 4:0. Në radhët e Baselit, në këtë ndeshje nuk ka luajtur reprezentuesi shqiptar Taulant Xhaka për shkak të dy kartonëve të verdhë. Kjo humbje është përjetuar rëndë nga  dy lojtarët kundërshtarë me origjinë shqiptare Armando Sadiku dhe Ezgjan Alioski të cilët gjatë gjithë kohës luajtën për FC Lugano-n.

Një ndarje pikësh me shumë gola të shënuar është arritur ndërmjet FC Lausanne dhe FC Luzern 4:4

Skuadra e Luzernit ka kaluar e para në avantazh në minutën e 17-të nëpërmjet qendërmbrojtësit Affolter ,por ky gëzim ka zgjatur pak sepse dy minuta më vonë për vendasit barazon Nassin Ben Khalifa.  Barazimi i rezultatit sikur i motivon vendorët për sulme më të shtuara.

Ata nëpërmjet Benjamin Kolollit ndërmarrin një sulm  mjaft serioz ndaj portës kundërshtare dhe në çastet kur pritej gol i sigurt në Kolollin starton ashpër Claudio Lustenberger i Luzernit dhe gjyqtari kryesor i takimit Alain Bieri pa u hamendur dënon këtë ndërhyrje duke treguar pikën e bardhë.

Ekzekutimin e penaltisë e bënë në minutë 33  me mjaft gjakftohtësi dhe precizitet Benjamin Kolloli, i cili e çon në epërsi FC Lausanne  ndaj FC Luzern-it  2me1.

Edhe pse FC Lausanne e mbyll pjesën e parë të lojës në dobi të saj në vazhdimin e  pjesës së dytë mezi i shpëton humbjes.

Ajo në sajë të golit të tretë të Khalifa në minutën e 90+2 të lojës barazon rezultatin në 4me 4.

Në të kundërtën pikët kanë mundur të shkojnë fare lehtë në arkën e FC Lurernit, në radhët e të cilit gjatë 90 minutave luajti dhe mesfushori Hekuran Kryeziu.

BSC YOUNG BOYS i Bernës në ballafaqim  me FC Sion-in nuk ka lejuar të papritura.

Me lojë  të bukur ka kënaqur rreth 14mijë shikuesit e tubuar.  Fitores së Bsc Young Boys-FC Sion 3me1,i është gëzuar edhe  Taulant Seferi  i cili debutoi në petkun e skuadrës nga Berna, në fund të lojës.

Ndërkaq me rezultatin baras kanë luajtur edhe FC Vaduz dhe FC St.  Gallen 1:1.

Deklarimet e stafit udhëheqës të skuadrës  FC Vaduz,nga  Principata e Lihtenshtajnit se pikët nga ky takim do të ngelin në Vaduz i  prish Albian Ajeti.

Ai,  në minutën e 40 të lojës sjell në epërsi  me 0:1 FC ST. Gallen-in.

Vendasit  të përcjellur çdoherë me vështirësi për të përballuar konkurrencën në këtë Ligë  mundohen të manifestojnë  tërë forcat e tyre në  minutat e mbetur të ndeshjes.

Ky angazhim i tyre tetë minuta para përfundimit të lojës  jep edhe frytet, kur Moreno Constanzo me gjuajtje të saktë mposht portierin solid e me përvojë të mysafirëve Daniel Lopar.

Trajneri i FC Vaduz, Corgio Contini e ka futur në lojë tre-katër minuta para përfundimit të ndeshjes  Albion Avdijajn, por në një hark kaq të shkurtër kohor vështirë të  bëhet diçka e dëshiruar.

Nga ajo çfarë  treguan të dyja  palët rezultati   1:1 është  real dhe i pritur nga shumëkush.

Viteve të fundit futbolli në Zvicër po bëhet gjithnjë e më joshës.

Po ashtu niveli i disiplinës është i kënaqshëm  dhe tepër rrallë ka të ngjarë që ndonjëri nga lojtarët për shkak të mosdisiplinës të ndëshkohet me karton të kuq nga gjyqtarët e ndeshjeve.

Sigurisht edhe kjo ka ndikuar që edhe pse  kohë dimri në pesë stadiumet e këtij vendi  të vogël gjatë kësaj jave të tubohen  mbi 50mijë shikues.