Kosova

Komisioni e dërgon në Kuvend Projektligjin për demarkacionin 

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se kjo marrëveshje në këtë formë nuk duhet t’i dërgohet Kuvendit për miratim

Komisioni për Punë të Jashtme e ka proceduar në seancë plenare marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Me katër vota për, 2 kundër nga Visar Ymeri e Aida Dërguti, dhe një abstenim nga Dukagjin Gorani, marrëveshja i përcillet seancës për shqyrtim. Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se kjo marrëveshje në këtë formë nuk duhet t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Kur foli për marrëveshjen e presidentëve tha se nga njëra anë pretendohet nga Qeveria e Kosovës se do të korrektohen gabimet, e ndërkohë pala malazeze thotë se do të ketë korrektime, por ato nuk do të jenë të mëdha. Ai ka thënë se vota e deputetëve të Vetëvendosjes do të jetë kundër.

Ndërkohë, Elmi Reçica i PDK-së ka thënë se marrëveshja e presidentëve jep mundësi që të sigurohen argumente për kufirin. Theksoi se marrëveshja e 16 shkurtit ka pasur jehonë pozitive te qytetarët, duke  kërkuar nga deputetët që ta votojnë marrëveshjen.

Ndërsa, Time Kadrijaj e AAK-së ka falënderuar Malin e Zi që ka pranuar të nënshkruajë marrëveshje me presidentin Thaçi, që mundëson korrektimin e kufirit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot në orën 16:00, për të proceduar tutje projektligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Qeveria një ditë më parë ka proceduar në Kuvend marrëveshjen bashkë me raportin e Bulliqit e deklaratën e presidentëve në Kuvend.