Kosova

Kompania gjermane planifikon të investojë 30 milionë euro në Ferizaj

Kompania “Unitas Energy” është kompani gjermane për energji solare që ka shprehur interesim të investojë rreth 30 milionë euro në rajonin e Ferizajt

Zëvendëskryeministri i Kosovës si dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi është takuar sot me investitorë gjermanë, që kanë shprehur interesim që të listohen si investitorë strategjikë në Kosovë.

Gashi, në njoftimin nga ministria, ka thënë se Kosova ka nevojë për investime sidomos në fushën e energjisë si dhe investitorët nga Gjermania janë gjithmonë të mirëseardhur.

“Investitorët nga shteti ynë mik, Gjermania, gjithmonë janë të mirëseardhur në Republikën tonë. Kosova ka nevojë për investime sidomos në fushën e energjisë”, ka thënë Gashi.

Kompania “Unitas Energy” është kompani gjermane për energji solare që ka shprehur interesim të investojë rreth 30 milionë euro në rajonin e Ferizajt.

Mike Juraschek, president i kompanisë ka thënë se ky do të jetë projekti më i madh në Ballkan në këtë fushë.

 “Me 27 megavat prodhim dhe rreth 30 milion euro investim, ky do të jetë projekti më i madh në Ballkan përfshirë Greqinë dhe Turqinë”, ka thënë Juraschek, sipas njoftimit nga ministria.