Kultura

Koncert me muzikë klasike i të rinjve nga Bazeli dhe nga Gjakova

U prezantuan 30 instrumentistë nga Zvicra përfshirë udhëheqësin, pianistin Johannes Greiner dhe 45 instrumentistë dhe koristë nga Gjakova

Në Sallën koncertale të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, të premten në mbrëmje u shfaq koncerti i përbashkët i orkestrës rinore nga Bazeli i Zvicrës dhe Orkestrës e korit të shkollës së ulët dhe të mesme të muzikës.

Me këtë rast 30 instrumentistë nga Zvicra përfshirë këtu edhe udhëheqësin e grupit, pianistin e njohur për publikun gjakovar, Johannes Greiner dhe 45 instrumentistë dhe koristë të shkollës “Prenk Jakova” interpretuan vepra te ndryshme muzikore, shkruan gjakovapress.

Në këtë koncert adhuruesit e muzikës patën mundësi të dëgjojnë muzikë filmi, pastaj muzikë për orkestër të autorëve të njohur botërorë si dhe disa këngë shqipe të interpretuara nga Kori i shkollës bashkë me disa këngë të interpretuara nga orkestrat e përbashkëta zvicerane dhe shqiptare.

Tingujt e instrumenteve, zëri i këngëtarëve të talentuar dhe repertori i zgjedhur që e krijuan afro 80 pjesëmarrës të koncertit, krijuan një atmosferë të këndshme që u shpërblye me duartrokitje.

Edhe pse bashkëpunimi i Shkollës së muzikës “Prenk Jakova” me orkestrën e Bazelit ka filluar vite më parë, në koncertin e mbrëmshëm shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishin për herë të parë në Gjakovë dhe në përgjithësi në Kosovë.

“Mikpritja që i bëri publiku si dhe moshatarët gjakovarë të rinjve nga Bazeli, pastaj interpretimi i përbashkët i orkestrave, ishin përvoja të reja të bashkëpunimit me nxënësit kosovarë që pritet të zgjerohet edhe më tutje” theksoi Astrit Pallaska, drejtor i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”.