Shqipëria

Konfindustria: Qeveria Rama të përmirësojë politikat fiskale

Konfindustria ka përshëndetur veprimin e qeverisë “Rama2” e cila ka ulur ngarkesat tatimore për disa kategori biznesesh dhe individësh.

Në programin e qeverisë të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë u parashikua lehtësim i politikave fiskale, konkretisht ulja e tatimeve për dividendin dhe tatim fitimi për kompanitë e teknologjisë në masën 6% dhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për disa kategori individësh në 18%.

“Konfindustria vlerëson, se masat e marra nuk do të kenë asnjë ndikim të prekshëm pozitiv, nëse nuk do të shoqërohen me përmirësim thelbësor te të gjithë politikave fiskale të deritashme. Për më shumë nga zbatimi i uljes se tatimit mbi dividendin nga 15% ne 6% pa përjashtim për gjithë kategoritë e biznesit, mund të ketë pasoja negative për ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit. Përfitues do të jenë vetëm monopole dhe oligopole të privilegjuar me licenca, koncesione shtetërore, që veprojnë në sektorët e tregjeve të mbyllura dhe mungesë konkurrence dhe që qarkullojnë sasinë kryesore të flukseve financiare në ekonominë vendore”, ka thënë Gjergj Buxhuku.

Ai thekson se politikat fiskale në fuqi janë nder shkaqet kryesore të gjendjes se vështirë ekonomike, fuqisë konkurruese të dobët, tërheqjes së investimeve të huaja.