Lajme

Konfirmohet: një kosovar nga Mitrovica u vra në Siri si pjesëtar i ISIS-it

Ai është Dush Smajli, nga rrethina e Vushtrrisë, i cili jetonte në Mitrovicë, deri në momentin kur kishte vendosur të shkonte ne Siri

Policia e Kosovës posedon informacione të sigurta se një shtetas kosovar nga Mitrovica është vrarë në luftën qytetare në Siri si pjesëtar i Shtetit Islamik (ISIS). Edhe familjarët kanë hapur të pamë për të birin e tyre që është vrarë në tokën e Shamit. Ai është Dush Smajli, nga rrethina e Vushtrrisë, i cili jetonte në Mitrovicë, deri në momentin kur kishte vendosur të shkonte ne Siri.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon. Ata kryesisht janë rreshtuar në krah të organizatave tashmë të shpallura terroriste, siç janë: i ashtuquajturi Shteti Islamik – ISIS dhe Al-Nusra, citon REL.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë. Por, për shkak të mungesës së informacioneve zyrtare, autoritetet e sigurisë në Kosovë nuk kanë shifra të sakta rreth numrit të saktë të personave të vrarë në vatrat e luftës në Siri e Irak. Ndërkaq, një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që disa të tjerë ende po përballen me drejtësinë.