Lajme

Kontrabanduan 100 afganë, arrestohen dy kosovarë

Të arrestuarit janë dy shtetas kosovarë, nga rajoni i Gjilanit, të cilët dyshohet se kanë kontrabanduar më shumë se 100 qytetarë afganë për në shtetet evropiane

Policia e Kosovës ka arrestuar sot ( e mërkurë) dy persona të dyshuar për “kontrabandim me emigrantë”. Të arrestuarit janë dy shtetas kosovarë, nga rajoni i Gjilanit, të cilët dyshohet se kanë kontrabanduar më shumë se 100 qytetarë afganë për në shtetet evropiane. Ata janë dërguar në qendrën e paraburgimit.

“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë nga Policia Kufitare, pas një hetimi disamujor, nën dyshimin e bazuar se është duke u kryer vepra penale “kontrabandim me migrant”, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Gjilanit, me ç’rast kanë arritur të arrestojë dy personave të dyshuar: S. R (1971) dhe S. A (1974)”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, këta dy persona dyshohet se kanë kryer aktivitete kriminale, duke iu mundësuar disa shtetasve nga Afganistani të migrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së. Këta afganë, sipas Policisë, kanë përdorur territorin e Kosovës si rrugë transite për në shtetet perëndimore.

“Dyshohet se gjatë kësaj periudhe kohore mbi 100 persona të moshave dhe gjinive të ndryshme janë kontrabanduar për në shtetet perëndimore. Me këtë rast dyshohet se personat e arrestuar kanë kryer veprën penale “kontrabandim me migrant” nga neni 170 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë kosovare.