Kosova

“Kontrollet kufitare” në sallën e provimit të gjermanishtes

“Dëshmia paraintegruese e njohjes së gjuhës” për bashkëshortët në rastin e bashkimit familjar

Në kuadrin e një studimi të Fondit Nacional të Zvicrës mbi martesat transnacionale, hulumtueset nga fusha sociale Janine Dahinden, Joëlle Moret dhe Shpresa Jashari, kanë bisduar me burra dhe gra nga Kosova, Turqia dhe Sri Lanka, të cilët janë duke u përpjekur për t`ua siguruar vizën bashkeshortë/eve për bashkim familjar në Evropë. Personat, partneri ose partnerja e tij/saj jetojnë në Gjermani. Në këtë vend, që nga viti 2007 është vendosur që për të realizuar këtë të drejtë, të kërkohet një “dëshmi paraintegruese e njohjes së gjuhës”. Kjo shkakton forma të reja, të privatizuara të administratës migratore dhe shumë stres e pasiguri te të pyeturit.

Sapo e lë zhurmën e trafikut të bulevardit “Bill Clinton”, drejtohem për në rrugën “George Bush” dhe arrij në sheshin e gjallërishëm “Zahir Pajaziti”. Diku këtu duhet të jetë. Në rrugën nga Stacioni i Autobusëve i Prishtinës, llojlloj tabelash reklamojnë kurse gjuhësh: disa për gjuhën angleze, por shumica për gjuhën gjermane. Mirëpo shkolla e gjuhëve ku po më presin, është vështirë të gjendet.

Pas bisedave të shumta me gra dhe burra në Kosovë, të cilët po përgatiten për provimin A1 të gjermanishtes, në mënyrë që të sigurojnë një vizë për bashkim me bashkëshortët/et, unë dua të mësoj më tepër lidhur me anën tjetër, atë institucionale të kësaj procedure. Kjo, pasi që në rrëfimet e bashkëbiseduesve të mi diçka ka mbetur e paqartë – si paqartësitë të cilat duket se shumë prej tyre i shoqërojnë në vazhdimësi në rrugën nga kursi i gjuhës, përmes provimit të gjuhës dhe te sporteli i ambasadës. Dhe ata tregojnë atë çfarë po flitet: “Qendra e testimit i rrëzon nga provimi më shumë ata që nuk e kryejnë kursin e shtrenjtë të partnerit të saj zyrtar”. Ose: “Para provimit ata bëjnë kontrollime të trupit”. Ose: “madje edhe po ta kesh certifikatën, në terminin në ambasadë do të bëhet sërish një test i gjuhës”. Një vizitë në shkollën e gjuhëve dhe bë qendrën testuese të “Institutit Goethe” do të duhej te na sillte qartësi.

Biznesi me gjuhët e huaja

Në mënyrë të pavetëdishme e skanoj ambientin sipas ngjyrave dhe modeleve, të cilat në pamjen e qytetit tashmë 10 vite përbetohen për një të ardhme evropiane: kaltër, yje të artë, ngjyrat e Gjermanisë dhe me të vërtetë është ajo. Në portën e hyrjes së një ndërtese me parafabrikat, një pllakat i kaltër reklamon kurset e shkollës së parë private për gjuhët e huaja në Kosovë.

Se si kjo shkollë mund t`ia dalë mbanë me shikueshmërinë minimale, bëhet e qartë në bisedën me drejtorin e ri. Babai i tij e kishte themeluar shkollën në vitin 1992, pasi që e kishte kuptuar se ardhmëria e tij profesionale nuk qëndron në eksport dhe import, që ishte ideja e tij e parë për bisnes, por në ofrimin e mësimit të gjuhës angleze dhe gjermane. Ai atëbotë kishte siguruar lokale pune me një çmim të volitshëm në qendër. “Sot ne jemi njëri ndër ofruesit më të mëdhenj privatë të kurseve të gjuhës, dhe ata me më së shumti përvojë”, thotë drejtori. Pastaj tregon një derë në korridor. Atij i duhet të shkojë më tutje por unë mund të bisedoj me njërën nga mësueset e gjermanishtes, e cila do ta përfundojë së shpejti orën e leksionit.

Ndërkohë që mësuesja e re e fshin tabelën, unë ulem në njërën nga bangat dhe mua më shkrep tashmë ajo çfarë duhet të dalë më e kuptueshme më vonë nga analizat e intervistave tona. Ky lloj i menaxhimit të migracionit i i merr në mënyrë tepër të detajuar aplikuesit, jo vetëm nga aspekti kohor dhe financiar por edhe në një mënyrë shumë specifike: ajo i bën gratë dhe burrat e rritur nxënëse dhe nxënës. Kështu, frika nga provimi “Start Deutsch 1”, ndonëse i ngjan frikës së provimeve nga koha e shkollës, peshon dukshëm më tepër, pasi që një dështim do ta rrezikonte ardhmërinë e çiftit në Gjermani.

“Mësimi paraintegrues”

Mësuesja e njeh frikën e pjesëmarrësve të kursit. Dhe e thotë fjalinë e njëjtë të cilën ne e kemi dëgjuar kaq shpesh në intervistat tona: “Ata më pyesin mua përse Gjermania i detyron ata që ta mësojnë gjermanishten nga këtu. Do të ishte shumë më e lehtë të jesh atje, në Gjermani, ku mund të dëgjosh dhe flasësh çdo ditë gjermanishten”. Vetë mësuesja, gjermanishten e ka mësuar në Gjermani, në afërsi të Frankfurtit, ku ajo ka lindur dhe është rritur. Ka vetëm tri vite që ajo jeton dhe punon në Kosovë. Dashuria e ka shtyrë atë në drejtimin tjetër, përtej kufijve gjermanë.

Një vështirësi të madhe për ndjekësit e kursit, tregon ajo, paraqesin thashethemet. Vazhdimisht vijnë te ajo njerëz të shqetësuar, madje dhe duke qarë, që i thonë se dikush nga Qendra e Testimit Gjuhësor (SLZ) ose nga Qedra e testimit e Institutit të Goethes-s i ka paralajmëruar se me këtë kurs nuk do ta kalojnë dot testin. “Ata bëjnë biznes”, shprehet e zemëruar mësuesja. Në lidhje me këtë ajo madje së fundi edhe ka telefonuar atje.  “Ju lutem, kjo duhet të jetë hera e fundit që ju flisni keq për shkollën tonë dhe shkollat tjera!”.

Dhe në fakt duket që shkolla të jetë me të vërtetë njëra ndër konkurrentet e mëdha të SLZ. Por ndërkohë që SLZ si partnere e Qendrës Testuese, partneres zyrtare të Ambasadës Gjermane në Kosovë, ka një qasje të privilegjuar në treg, shkolla në sheshin “Zahir Pajaziti” i tërheq klientët përmes propagandës gojore dhe përmes çmimeve më të volitshme: 160 euro kushton këtu kursi A1, ndërkohë që SLZ kërkon 400 euro. Një diferencë e madhe, e cila kur lidhet me implikimin e institucioneve, shkakton konfuzion te klientët. Ndërsa thashethemi për kontrollimin trupor dëshmohet si i vërtetë, gjatë bisedës me mësuesen. Ajo e përmend spontanisht këtë, në lidhje me frikën enorme nga provimi. “Më parë ka pasur një kontrollim të pasaportës dhe të trupit. Dhe gjatë provimit me shkrim, pjesëmarrësit nuk guxojnë të lëvizin njërën dorë, të prekin flokët dhe të ngjashme. Ata duhet të tregojnë paraprakisht se me cilën dorë shkruajnë ndërsa dorën tjetër ta mbajnë mbi tavolinë deri në përfundim të provimit”. Kjo, sipas saj tashmë është bërë standard në këto provime dhe vjen si pasojë e përpjekjeve të bëra për mashtrim.

Përshkrimi përkon me një rrëfim të një të intervistuare, e cila e kishte kaluar provimin e anglishtes në “British Council” në Tiranë. Me ndryshimin se ajo, para hyrjes në sallën e provimit ishte detyruar t`i dorëzonte syzet dhe vathët e veshit, për t`ia fotografuar fytyrën. Po ashtu është dashur që pasaportat t`i linin të hapura mbi tavolinë, në mënyrë që gjatë gjithë kohës së provimit të mund të kontrollohen nga mbikëqyrësit e provimit.

 Kombinimi i provimit të gjuhës me kontrollin e migracionit

Këto mënyra të menaxhimit të migracionit jo vetëm që aplikuesit për viza i shndërrojnë në nxënës, por ato e shndërojnë klasën ku mbahen provimet në një hapësirë kufitare. Kontrollimi kufitar aty është gjithëpërfshirës, pasi që në testin e gjuhës kontrollohen dokumentet e identitetit, trupi dhe shpirti, pra dija e kandidatit. Me marrjen e detyrave shtetërore nga qendrat private të testimit, udhëheqësit e provimit marrin rolin e zyrtarëve kufitarë.

Dhe si qëndron puna me atë testimin famëkeq të sërishëm të gjuhës që bëhet në ambasadë? Mësuesja mohon: Këtë e bëjnë para së gjithash kur testi i gjuhës është bërë shumë kohë më parë ose është kaluar me rezultat të ngushtë. Vërejtjes sonë se aplikuesit atje pyeten për ditëlindjen e vjehrrës, ajo i përgjigjet se kjo është një përpjekje për të mbetur në temën e martesës. Dhe për ta vërtetuar këtë pandehmë, ajo shton: “Ata duan po ashtu të shohin nëse martesa është e vërtetë”. Por a nuk mund të shtrohen këto pyetje në gjuhën shqipe? “Jo, kjo mund të bëhet në të dyja  gjuhët. Por kur në gjermanishte lindin dyshime, ata e kthejnë në gjuhën shqipe, për të hetuar më mirë problemin.

A mund të ndodhë që ambasada, sqarimet rreth martesave fiktive në rastet e tilla t`i ngatërrojë me testin e sërishëm gjuhësor? Këtë pyetje unë ia shtroj ditën tjetër drejtuesit të Qendrës së Testimit dhe drejteueses së SLZ. Drejtuesja e konfirmon se pyetjet rreth ditëlindjes së vjehrrës htrohen në ambasadë në gjermanishte. Por kjo bëhet “thjesht vetëm për të vërtetuar nëse mund t`i kombinojnë datëlindjet e vjehrrit ose të vjehrrës dhe nëse mund ta thonë një datë. Nuk është puna se në këtë mënyrë ata po ritestohen”. Drejtuesi na këshillon që deklarimet e tilla të individëve duhet, në përgjithësi, të merren me rezervë dhe dëshiron të përmirësojë: “Aty nuk ka provim gjuhësor. Vetëm synohet të konstatohet nëse njohja e gjuhës është ende e pranishme”: të dy provojnë që në sqarimet e tyre të shmangin fjalët test dhe provim dhe të devijojnë me shprehjet si konstatim, dëshmim ose besueshmëri, por bien sërish te e para. Sikur në rastin kur drejtuesi sqaron se një vlerësim i fituar në këtë mënyrë nuk është gjithnmonë krejtësisht objejktiv, për çfarë ai ka provuar të sensibilizojë edhe Ambasadën Gjermane: “Në provimin tonë me gojë, pjesëmarrësit e provimit janë të përgatitur se do të testohen. Ndërsa në Ambasadën Gjermane bëhet fjalë të shumtën e rasteve që kandidati është i ftuar dhe nuk e di nëse fjala është për një test gjuhe ose ah… për një bisedë”.

A delegohet përgjegjësia?

Si ekspert gjuhësor ai shërben shpesh si urë në mes të aplikuesve dhe ambasadës, jo vetëm për atë se ai punonjësve të Ambasadës u jep vërejtje të tilla, por edhe për faktin se ai i fton ata që të asistojnë në provimet me gojë, që të mund të vlerësojnë më mirë nivelin A1 të njohjes së gjuhës. Në këtë mënyrë, shkrihen fushat e kompetencave në mes të institutit privat gjuhësor dhe organit shtetëror. Ambasada si përfaqësuese e shtetit mund të delegojë te privatët testet e gjuhës, por në instancën e fundit nuk mund të delegojë edhe përgjegjësinë. Kjo mund të jetë një arsye për “vërtetimin e sërishëm improvizues të nivelit ekzistues të njohjes së gjuhës” nga ana e ambasadës.

Por institutet gjuhësore bartin edhe përgjegjësi përmes bashkëpunimit me ambasadën dhe me autoritetet lokale, si për shembullreth sigurimit të pranisë së policisë gjatë testit, për të penguar përpjekjet për mashtrim. Sipas drejtuesit të qendrës për testim, është një akt drejtpeshimi që provimi të mbikëqyret në mënyrë sa më rigoroze që të jetë e mundur dhe njëkohësisht të realizohet ashtu që të jetë sa më i këndshëm që të jetë e mundur. Kjo nuk ka qenë e lehtë as për të, pasi që ai megjithatë bart një pjesë të përgjegjësisë për atë nëse dikush mund t`i bashkohet bashkëshortit/es në Gjermani ose jo. Për këtë, atij i është nevojitur një “fazë kalitjeje”.

Dhe, po, edhe nëse ai e ka vendosur veten në botën e ndërmjetme, në mes të ofrimit të mësimit të gjuhës dhe kontrollit kufitar, as ai vetë nuk tingëllon protësisht i bindur sa i përket përshtatshmërisë së “testit gjuhësor paraintegrues”.

“Epo, unë e kuptoj se për të folur gjuhën ka nevojë. Nga ana tjetër natyrisht mund edhe të shtrohet pyetja… nëse ajo mund të mësohet gjatë gjashtë javëve të para në Gjermani”.

  • Autorja, Shpresa Jashari është studiuese e gjuhës dhe e shkencave sociale. Artikulli është shkruar për revistën “Terra Cognita” me të cilën albinfo.ch ka bashkëpunim të ngushtë.
  • Në origjinal, këtë dhe artikuj tjerë interesantë, mu d t`i lexon i në këtë link: http://www.terra-cognita.ch/fileadmin/user_upload/terracognita/documents/BBL_Terra_Cognita_32-18_web.pdf