Bota

Koreja Veriore bën shpërthimin e bombës atomike, alarmohen fuqitë botërore

Përveç vendeve perëndimore, dënimit kësaj here i janë bashkuar edhe Kina dhe Rusia

Pas paralajmërimeve të shumta të bëra nga diktatori i Koresë Veriore, Kim Jong-un duket se kësaj here ai ka vepruar: vendi i tij ka bërë testimin e bombës atomike. Ky aksion është dënuar në mënyrën më të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare. Përveç vendeve perëndimore, dënimit kësaj here i janë bashkuar edhe Kina dhe Rusia, shkruajnë mediat botërore.

“Korea Veriore duhet të ndërpresë me ndërmarrjen e “aksioneve të gabuara”, të cilat e përkeqësojnë situatën, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës. Ai ka kërkuar që Pjöngjang-u të respektojë rezolutat përkatëse të OKB-së dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve.

“Thellësisht e shqetësuar” është shprehur edhe Rusia. Ministria e Jashtme e këtij vendi ka apeluar për qetësi duke kërkuar që të mos ndërmerren aksione si reagim ndaj këtij testi të dyshuar. Kështu do të bëhej përshkallëzim i mëtejmë i situatës.

Shefi i organizatës ndërkombëtare për energjinë atomike (IAEA), Yukia Amano, testin më të ri të Koresë Veriore e ka cilësuar si “jashtëzakonisht shqetësues”. Testi është një shpërfillje e plotë e të gjitha kërkesave ndërkombëtare që i janë bërë vendit komunist.

Ndaj testimit ka reaguar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ndërsa ende nuk ka ardhur reagimi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë (SHBA).