Kosova

Kosova bën bashkë dy polet e kundërta të politikës zvicerane: SVP-në me SP-në

Në krye të grupit të sapokrijuar "kosovar" të Parlamentit të Zvicrës qëndron një duo i pazakonshëm: Cedric Wermuth nga Partia Socialdemokrate (SP) dhe Felix Müri nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP)

Më 5 dhjetor është themeluar Grupi Parlamentar mbështetës i Kosovës në kuadrin e Parlamentit të Zvicrës. Albinfo.ch ka raportuar nga ky aktivitet. Si bashkëkryetarë të këtij grupi janë zgjedhur ndërkaq përfaqësues të dy partive që prezantojnë polet e kundërta në politikën zvicerane: Cedric Wermuth nga Partia Socialdemokrate (SP) dhe Felix Müri nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP).

 

albinfo.ch

Nisur nga kjo rrethanë, më shumë se vetë themelimi, lajm për mediet zvicerane (“Aargauer Zeitung” dhe “Blick”) është bërë përbërja e grupit. Qëndrimi rigjid i SVP-së në disa raste ndaj Kosovës dhe komunitetit shqiptar, ka qenë prej vitesh në fokus të medieve zvicerane. Prandaj gazetarët e këtyre dy mediumeve nuk lënë pa ia përkujtuar përfaqësuesit të SVP-së (Felix Müri) mesazhin nga afishja e njohur “Kosovarët therin zviceranin”, për të cilin janë dënuar dy funksionarë të lartë të kësaj partie.

“Me mbi 200 mijë veta sa jetojnë në Zvicër, kosovarët së bashku me shqiptarët tjerë përbëjnë njërin ndër grupet më të mëdha të të huajve në vend. Dhe tash ata po vijnë në parlament. Jo në kuptimin e zgjedhjes së ndonjë deputeti me prejardhje kosovare por janë parlamentarët zviceranë ata që marrin përfaqësimin e kosovarëve. Në krye të grupit të sapokrijuar të Kosovës në Parlament qëndron një duo i pazakonshëm: Cedric Wermuth nga Partia Socialdemokrate (SP) dhe Felix Müri nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP). Para së gjithash është deputeti Felix Mür nga Lucerni ai që habit. Kjo për faktin se raporti në mes të SVP-së dhe kosovarëve është i ngarkuar, që kur partia më e madhe zvicerane në vitin 2011 e kishte nisur fushatën e mbledhejs së votave me sloganin “Kosovarët therin zviceranin”. Vetëm në pranverën e sivjetme ish sekretari i përgjithshëm dhe ndihmësja e tij janë dënuar për diskriminim racor nga Gykata Federale e Zvicrës lidhur me këtë rast”, shkruajnë gazetat.

Felix Mür pranon për “Aargauer Zeitung” se `përzgjedhja e fjalëve ka mundur të ishte bërë më e mirë”, duke iu referuar sloganit në fjalë. Por sido që të jetë, ai në grupin e ri do të angazhohet para së gjithash për marrëdhëniet ekonomike në mes të dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, kolegu i tij nga SP-ja, Cedric Wermuth me angazhimin e tij në këtë grup dëshiron pjesëmarrje të shtuar të njerëzve me rrënjë kosovare në jetën politike në Zvicër. Ai po ashtu synon të angazhohet që kosovarët të sigurojnë qasje më të lehtë në informatat rreth çështjeve të përditshme si sigurimet sociale e të ngjashme.

Fakti se puna administrative e këtij grupi do të udhëhiqet nga Ambasada e Kosovës në Bernë, nuk është pa problem, shrkuan gazeta. Kjo për faktin se Wermuth mban kontakte me të majtën kosovare, kritike ndaj qeverisë (Me Lëvizjen Vetëvendosje). Ai ka thënë për “Aargauer Zeitung” se “dëshiron që njëherë të presë se si do të funksionojë bashkëpunimi”.

Fatmire Musliu

Themelimi i grupeve parlamentare që u dedikohen vendeve ose çështjeve të caktuara ka përjetuar një boom viteve të fundit në Zvicër, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”. Kështu, në vitin 2004 ishin 51 grupe të tilla ndërsa në vitin 2014 ishin bërë tashmë 112 sosh, për të arritur aktualisht ky numër në 136.

E lutur nga albinfo.ch që të prononcohet në cilësinë e bartëses së iniciativës për themelimin e grupit të përmendur, Fatmire Musliu, ministre këshilltare në  Ambasadën e Kosovës në Bernë thotë se pikërisht në përfshirjen e gjithë spektrit politik të Zvicrës në këtë grup qëndron e mira e kësaj pune.

“Ambasada e Kosovës përfaqëson dhe mbron interesat e Republikës së Kosovës në Zvicër dhe Liechtenstein. Jemi shumë të lumtur që në grupin e krijuar kemi përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare në Zvicër dhe nga të dy dhomat e parlamentit. Krijimi i këtij grupi është një hap i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit dhe i trajtimit të temave me interes të dyanshëm, me theks të veçantë në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik”, thekson znj. Musliu.

Më tutje ajo thotë se “Ambasada respekton bindjet politike të secilit dhe natyrisht që mban pozicion neutral në këtë raport, gjithmonë konform natyrës së punës sonë. Me gjithë pikat që janë prekur në artikullin e  gazetës “Aargauer Zeitung”, ne mendojmë se Zvicra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshem për vendin tonë dhe mbi këtë bazë kemi më shumë përvoja të mira se sa të këqija. Kështu, ne do të fokusohemi në përvojat e mira dhe në mundësitë e shumta për bashkëpunim në të ardhmen”, ka theksuar Fatmire Musliu në prononcimin e saj për albinfo.ch.

Ajo me këtë rast ka komplimentuar edhe rolin pozitiv të diasporës sonë në Zvicër. “Ne jemi shumë krenarë me qytetarët tanë sepse shohim çdo ditë një permirësim të imazhit dhe pozitës së tyre ne Zvicër. Për me tej diaspora jonë në Zvicër është hallka me e fortë që lidh dy vendet mes vete”.