Kosova

Kosova bën tri misione diplomatike në SHBA

Kosova ka hapur konsullatën edhe në shtetin e Iowas duke e quar në tri numrin e misioneve diplomatike dhe konsullore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tri, respektivisht me Ambasadën në Uashington, Konsullatën e Përgjithshme në Nju Jork dhe tash Konsullatën në Iowa, transmeton albinfo.ch.

Kosova dhe shteti i Iowas në SHBA kanë arritur që të zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe që përfshijnë pothuajse të gjitha fushat e bashkëpunimit. Ky partneritet filloi në mes Gardës Kombëtare të Shtetit të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për t’u zgjeruar më pas edhe në fusha tjera.

Ndërsa në praninë e sekretarit të shtetit të Iowas, Paul Pate, senatorëve të këtij shteti, komandantit të Gardës Kombëtare, Gjeneral-Majorit, Timothy Orr, është bërë ngritja e flamurit të Kosovës në Konsullatën e Kosovës.  Ngritja ceremoniale e flamurit u bë nga Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës,  Xhavit Gashi, së bashku me  zëvendës-guvernatorin e këtij shteti Adam Greg.

Në këtë ngjarje të hapur për publikun, morën pjesë më shumë se 200 persona. Kjo ceremoni u përmbyll nga pjesëtarët e bendit frymor të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, të cilët përformuan himnet e të dyja shteteve respektive.