Kosova

Kosova dhe Austria me plan veprimi për marrëdhëniet dypalëshe

Ministri austriak i Punëve të Jashtme në letrën dërguar ministrit Pacolli, thotë se Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme, përfshirë  këtu edhe liberalizimin e vizave

Kosova dhe Austria do të kenë një plan veprimi dypalësh me qëllim të thellimit dhe zgjerimit të mëtejmë të marrëdhënieve reciproke. Kjo u bë e ditur nga takimi që zhvilloi zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Në kuadër të këtij takimi të kurtuazisë, janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve me zotime të dyanshme për ngritjen e mëtejme të nivelit të bashkëpunimit dhe me shtrirje gjithëpërfshirëse.

Meqenëse ishte takimi i parë prej kur Pacolli është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, ambasadori Pfandler e përgëzoi për pranimin e detyrës, dhe i dorëzoi letrën e urimit nga ministri i Jashtëm i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

“Austria do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme që po kalon vendi, duke përfshirë liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata Ndërkombëtare si dhe avancimin e agjendës evropiane”, thuhet në letrën e Ministrit austriak, të cilën e  transmeton MPJ.