Kosova

Kosova dhe Shqipëria me kalendar të përbashkët kulturor

Dy ministrat e Kulturës, ai i Kosovës, Kujtim Gashi, dhe ajo e Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi, kanë nënshkruar Kalendarin e Përbashkët Kulturor mes dy shteteve në një takim që kanë mbajtur në qytetin e Prizrenit. Kumbaro deklaroi se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufij tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativ, përcjell albinfo.ch.

“Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës të cilën duam ta kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet të krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, deklaroi ajo.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë. Ndërsa Gashi ka thënë se kjo është  ditë shumë e veçantë për të dyja vendet.

“Të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Besoj që këtë vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, theksoi ai.