Sport

Kosova gjobitet për fishkëllimat ndaj himnit maqedonas

Dënimi vjen për shkak të fishkëllimave në kohën sa intonohej himni maqedonas në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë

Federata e Basketbollit të Kosovës është dënuar me të holla për ndeshjen Kosovë-Maqedoni në kuadër të Grupit C parakualifikues për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Dënimi vjen për shkak të fishkëllimave në kohën sa intonohej himni maqedonas në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë.

“Ju informojmë se FIBA e ka ndëshkuar Federatën tuaj nacionale për shkak të sjelljeve josportive të tifozëve të Kosovës- ‘Gjatë intonimit të himnit të Maqedonisë, spektatorët kanë bërtitur dhe kanë kënduar aq sa himni nuk mund të dëgjohej më’ në ndeshjen e 2 gushtit”, thuhet në njoftimin e dërguar nga FIBA.

Me Rregullore të garave të FIBA-s nuk tolerohen gjëra të tilla në asnjë ndeshje që organizohet në kuadër të këtij institucioni dhe për çdo veprim josportiv të individëve, grupeve, pasojnë ndëshkimet në të holla prej 1,000.00 euro e tutje, për të vazhduar me ndëshkime të tjera edhe më të rënda.

FBK ka apeluar tifozët që nga ndeshjet e ardhshme të mos bëhen veprime të tilla.

Kosova fitoi në ndeshjen e parë ndaj Maqedonisë, ndërsa sot takohet me Estoninë.