Lajme

Kosova magjepëse, me 300 bjeshkë

Albinfo.ch ka filluar një seri të shkrimeve që do të tregojnë për turizmin në Kosovë dhe njerëzit të cilët merren me të me pasion të madh, duke tentuar që të sjellin sa më shumë vizitorë në vendet e bukura të Kosovës

Arben Islami angazhimin e tij publik në vitet e tetëdhjeta e filloi si tenist, kur edhe ishte kampion i Kosovës për disa vjet me radhë. Pastaj ai ka vazhduar të zgjerojë aktivitetin e tij në sporte të tjera të lidhura me turizmin, fillimisht me skijim. Arbeni pasionin e tij e ktheu në një ndërmarrje turistike, e cila tashmë ka botuar një libër me fotografi të mrekullueshme të Kosovës dhe organizon udhëtime të vikendit dhe njëditore në bjeshkët e Kosovës.
Arbeni aktivitetin e tij turistik e ka të bazuar në klientelë të brendshme të Kosovës, shumica djem dhe vajza urbane, të cilët dëshirojnë të shohin bjeshkët e Kosovës, të bëjnë fotografi të mrekullueshme dhe të kënaqen me pamjet që ofrohen nga malet e Kosovës.
Ai ka bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë (Political Tours, National Geographic, State Departamentin Amerikan, Ambasadën Amerikane, EU Commission, Ambasadën Norvegjeze, gazetën prestixhioze botërore nga skijimi extrem, Teton Gravity Research, etj.
Mirëpo, Arbeni kurrë nuk e ka harruar tenisin, ai tash është trajner me licencë ndërkombëtare, i angazhuar në klubin Prishtina.

A mund ta përshkruash vendin më të bukur në Kosovë?

Pasi kam vizituar 99% të bjeshkëve të Kosovës, është vështirë të përzgjedhet një ose 10 bjeshkët më të bukura. Të gjitha kanë bukurinë e vet dhe ato dallojnë shumë duke marrë parasysh territorin e vogël që ka vendi ynë. Nga të gjitha majat e Sharrit (nga 25 maja zyrtare), kisha veçuar Piribregun 2524 m, Majën e Liqeneve (Jezerski) 2586 m, Kobilicen me Treskavecin 2528 m, Qelepinen 2554 m, Majën e Njeriut në Rudoke 2658 m dhe pjesën më jugore të Sharrit në jug të Kosovës, ku gjenden majat e Vracave. Këto maja gjenden përmbi bjeshkë të mëdha dhe dallohen nga majat e tjera në Sharr, pasi rrethohen me liqene malore dhe shkëmbinj të thepisur.
Në Rugovë është vështirë të veçohet ndonjë pjesë, pasi në tërësi është mahnitëse. I kam ecur të gjitha majat, duke filluar nga bjeshkët e Sejnovës në Jabllanicë të Madhe, e deri të maja e Veternikut në bjeshkët e Irzniqit.

Guri i Kuq, Milishefci, Lumbardhi me livadhet e saj, Vjellaku, Kërshi i Ujkut, Foku, Rusolia, Maja e Hasanit, Hajla, Liqenati, Bjeshka e Malsorit janë të gjitha mrekulli natyrore. Pamjet nga Shtypeqi i vogël janë mahnitëse. Sa herë që shkoj atje, ripërtërihem.
Bjeshkët e Junikut dhe të Deçanit janë në tërësi të bukura. Patjetër duhet vizituar Gjeravicën nga Gropa e Erenikut dhe Pllaqica e Vokshit. Shumë më bën përshtypje Mariashi 2533 m.
Bjeshkët e Istogut janë shumë të bukura, por pyjet atje janë prerë pa kontroll, që është për të ardhur keq.

Cilat janë tri vende të tjera, të cilat secili kosovar duhet t’í vizitojë dhe pse?

Sipas meje, vendi i parë që turisti duhet të vizitojë është Gryka e Rugovës, Brezovica dhe fshati Brod në Dragash.
I preferoj, pasi të gjitha këto vende kanë infrastrukturën e nevojshme për vizitë, si: rrugën e asfaltuar, restorante dhe hotele dhe afërsinë e qyteteve kryesore. Gjithashtu, në rrethinë gjenden shumë bjeshkë dhe shumica e shtigjeve për bjeshkatarë janë të shënuara. Rugova është shumë afër nga Peja, Brezovica është afër nga Prishtina dhe  Brodi është në afërsi të Prizrenit. Si pikë të katërt e kisha veçuar edhe Prevallen, por me ndërtime të egra, ajo bjeshkë e bukur e ka humbur kualitetin.

Tregona për librin!

Në fillim të vitit 2013 e kam botuar librin tim të parë të quajtur “Pure Kosovo”. Libri përmban 315 fotografi, ku janë përfshirë rreth 80 bjeshkë të Kosovës. Ky botim ka qenë i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është mirëpritur nga të gjithë. Libri ka dalë në 2 verzione, në shqip dhe anglisht.
Pasi libri i parë pati një sukses të madh, në shkurt të 2014 e botova librin tim të dytë, i quajtur “Majestic Kosova” Vol. 1, i cili përmban 300 fotografi dhe në të janë të përfshira shumë bjeshkë të Kosovës. Ky version u botua në 2 gjuhë, shqip e anglisht. Edhe ky libër është mirëpritur shumë. Pasi Kosova ka më shumë se 200 bjeshkë, kam ndërmend që vëllimet 2 dhe 3 të Majestic Kosova (Kosova Madhështore) t’i botoj në fillim të vitit të ardhshëm, respektivisht në vitin 2016, në mënyrë që të përmbyllet cikli i bjeshkëve të Kosovës në 3 vëllime.

Gjatë verës, pushimeve të fundvitit kur diaspora kosovare viziton Kosovën, a bëhen ata pjesë e vizitave tuaja?

Numri i të interesuarve për bjeshkë nga diaspora është i madh dhe veçanërisht gjatë muajve të verës. Shumë nga diaspora më shkruajnë në e-maile, duke me përgëzuar dhe duke bërë plane që kur të vijnë, të marrin pjesë në ndonjë nga ecjet tona.
Më 9 dhe 10 gusht 2014, me ndihmën e Ambasadës Norvegjeze dhe Ministrisë së Diasporës kam organizuar një ngjarje të madhe në fshatin Brod të Dragashit, të quajtur Camp’n’hike 2014.

Ka marrë pjesë një numër i madh i bjeshkatarëve (rreth 300) dhe shumë nga ta ishin nga diaspora. Të gjithë kanë kaluar mirë dhe se besoj që numri i tyre do të jetë shumë më i madh vitin e ardhshëm.

Sa është numri i turistëve që marrin shërbime nga Hiking Njeri dhe kush janë ata?

Shumica dërmuese e bjeshkatarëve që marrin pjesë në organizimet tona me Hiking Njeri janë nga Kosova, por nga të huajt janë punëtorët ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë. Gjithashtu, ka shumë nga ata që vijnë për vizita 2-3 ditore dhe me kontaktojnë përmes e-mailit disa muaj përpara. Ka pasur raste kur është dashur ta shoqëroj grupin e madh prej 20-30 personave nga Anglia dhe Amerika. Të gjithë janë të lumtur dhe gjithmonë e gjejnë mënyrën që të kthehen prapë në Kosovë. Përveç bjeshkëve që shumicës dërmuese iu duken mahnitëse, element tjetër që iu bën përshtypje janë njerëzit dhe shoqëria.
Interesant është fakti që numri më i madh i të interesuarve në Hiking Njeri janë femra, andaj ato përbëjnë rreth 70%. Më vjen mirë që më në fund rinia jonë është zgjuar nga gjumi dhe po përpiqet që ta jetojë jetën në mënyrë kualitative, por edhe ndërkohë ta mësojnë Kosovën.

A ka mundësi të jetohet nga një ndërmarrje çfarë është kjo e jotja?

Pasi me profesion jam stomatolog dhe merrem me tenis, bjeshkataria si Hiking Njeri dhe skijimi përmes shoqatës “Snow Njeri” janë  hobi që i dua me zemër. Interesant është që këto dy hobi, të cilat i udhëheq me përkushtim përmes këtyre 2 OJQ-ve, kanë filluar të më bëhen edhe një lloj profesioni.
Në prill dhe maj të këtij viti qëndrova në SHBA. Me ftesën e State Departamentit Amerikan, bashkë me 7 kosovarë përmes programit për turizëm, mësuam shumë gjëra për turizmin malor dhe turizmin në përgjithësi.
Kosova ka aq shumë bjeshkë sa që ka mundësi të jetohet nga kjo lloj veprimtarie. Me guida, foto albume, organizime të ndryshme, ky lloj profesioni mund të bëhet profesion i endrrave.

Qysh të të gjejmë?

Hiking Njerin mund ta gjeni në Facebook në Kosovo Hiking trips dhe Hiking Njeri Kosova. Gjithashtu së shpejti do të dalë sajti hikingnjeri.com dhe Njeri.net.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/kosova-magjepese-me-300-bjeshke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.