Kosova

Kosova në BERZH pritet të marrë fonde deri në 500 milionë euro

Projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në samit, sipas koordinatorit rajonal Gazmend Abrashi janë të fokusuara në infrastrukturë

Kosova pritet të prezantohet me 40 projekte të fushave të ndryshme në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet të hënën në Londër. Projektet me të cilat Kosova do të prezantohet në samit, sipas koordinatorit rajonal Gazmend Abrashi janë të fokusuara në infrastrukturë.

Unaza e kryeqytetit pritet të jetë projekti më i madh që Qeveria e Kosovës do ta prezantojë të hënën më 26 shkurt.

“Zyra e kryeministrit qysh prej momentit që ka filluar me u parapërgatit për këtë samit, ka bashkëpunuar me Odën Ekonomike”, theksoi Abrashi.  Zyrtarë të qeverisë thonë se Kosovës i është ofruar mundësia që të marrë fonde deri në 500 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se beson që zhvillimet e kohëve të fundit në politikë nuk do të ndikojnë në ekonomi. Edhe këtë herë Gërxhaliu bëri thirrje që ekonomia në Kosovë të trajtohet me prioritet.