Lajme

Kosova nuk dorëzohet për humbjen e 5 milionë eurove në Arbitrazh

Për ndërprerjen e njëanshme të prodhimit të pasaportave biometrike, Gjykata e Arbitrazhit në Paris vendosi dje që Kosova t’i paguaj dëmshpërblim shtypshkronjës austriake në vlerë 5 milionë euro

Shtypshkronja shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei” e ka fituar çështjen ligjore kundër qeverisë së Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, nga e cila ka kërkuar kompensim në vlerë 5 milionë euro për ndërprerjen e njanashme të prodhimit të pasaportave. Por, autoritetet kosovare thonë se nuk do të dorëzohen përballë këti vendimi.

Gjykata e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris vendosi dje në favor të shtypshkronjës austriake, dhe vendimi parasheh pagesën prej 4.996 milionë eurosh dhe shpenzimet tjera, thuhet në deklaratën e kompanisë. Kundër vendimit të arbitrazhit nuk ka mundësi ankese dhe autoritetet në Prishtinë janë të detyruar që në afatin prej 14 ditësh ta paguajnë shumën e caktuar.

Në Ministrin e Punëve të Brendshme sot u mbajt konferenca për media në lidhje me  vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në çështjen e pasaportave.

“Kemi pranuar vendimin ne forme elektronike dhe kemi filluar të analizojmë të gjitha pjesët e saj e sidomos pjesët që ne i konsiderojmë si çështje kontestuese dhe e dyta është njoftimi për veprimet e mëtutjeshme, qe MPB do të ndërmerr në ditët në vijim”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme të Kosovës, Driton Gashi.

Ai tha se vendimi i arbitrazhit konsiderohet nga MPB si çështje shume serioze dhe po ashtu si proces i komplikuar ligjor, i cili ka filluar në vitin 2013.

“Është i komplikuar sepse jemi pothuajse në dy beteja ligjore, e para ka të bëjë me vendimin e gjykatës ndaj grupit të Natali Veliaj, e cila ka qene e autorizuar ne veproje ne emër te OeSD, ne te cilin proces MPB do të bëjë padi civile për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar MPB-së, dhe procesi tjetër paralel është çështja e arbitrazhit të cilën duhet beteje duhet ta ndjekim deri në fund”, deklaroi ai.

Sekretari Gashi tha se vendim i gjykatës ndërkombëtare do t’i nënshtrohet procedurës së njohjes nga ana e strukturave gjyqësore në vendin tonë.

Avokati, Gazmend Nushi,  i cili ka përfaqësuar  MPB–në  në këtë proces ka sqaruar se ky vendim nuk është i apelueshëm.

“Ky vendim i arbitrazhit në kuptimin e procedurës së arbitrazhit nuk mund të ankimohet në ndonjë instancë më të lartë. Por nisur nga konventa e New York-ut, Ministria e Punëve të Brendshme do ta nis procedurën për anulimin e këtij vendimi. Duhet pritur edhe inicimin e procedurës për njohjen e këtij vendimi. Gjykata kompetente vendore, do ta jap fjalën përfundimtare”, ka thënë z. Nushi.

Ai po ashtu ka thënë se afati 14 ditor është keqkuptuar nga media sepse ky vendim i tillë çfarë është për momentin, siç thotë ai, i nënshtrohet njohjes së Gjykata kompetente në Kosovë. MPB siguron opinionin e gjerë se është duke e trajtuar shumë seriozisht vendimin e Arbitrazhit dhe për çdo informacion të ri do te njoftoj me kohe edhe publikun e gjerë.