Diaspora dhe pavarësia: mes shpresave dhe iluzioneve

Kosova nuk është ajo që e kemi ëndërruar, por jo gjithçka është e zezë*

Ëndrra jonë ishte që Kosova të lulëzojë si një shoqëri demokratike, të zhvillohet ekonomikisht dhe industrialisht. Por realiteti lë për të dëshiruar, ëndrrat e që kishim për Kosovën, na u thyen

Të gjithë ne pa dallim në mënyrat tona kemi kontribuar në fitoren e lirisë nga okupatori Serb. Mjetet financiare të tubuara nga diaspora si dhe ndihmat  personale në familje kanë bërë që të rindërtohet Kosova nga shkatërrimi fizik: si pikë e parë ajo është arritur me sukses.

Ëndrra jonë ishte që Kosova të lulëzojë si një shoqëri demokratike, të  zhvillohet ekonomikisht dhe industrialisht. I kishim të gjitha potencialet dhe intelektin si dhe vullneti nuk mungonte. Ashtu thanë edhe shumë diplomatë të huaj fill pas luftës, të cilët e kishin parë angazhimin e popullit të Kosovës e sidomos mërgatën-liridashëse, dhe pritnin që Kosova të bëhet Kuvajt i Evropës, pasi që territori, toka dhe nëntoka si dhe klima ia jepte të gjitha mundësitë.

Për ne që ishim aktivistë të rregullt ishte prioritet: formimi, forcimi, zhvillimi, kultivimi dhe prosperiteti i Kosovës në harmoni me vendet e botës së zhvilluar dhe demokratike, duke marrë si model bazë liritë dhe demokraciët në vendet ku ne jemi dhe jetojmë nëpër botë.

Realiteti lë për të dëshiruar, ëndrrat e që kishim për Kosovën, na u thyen. E për këtë shumë faj  kemi edhe ne pasi që nuk ditëm t`i kanalizojmë ato, dhe të fokusohemi drejtë. Presionet tona s’kishin marrë kahun e duhur dhe lejuam, ndoshta nga euforia e tepërt e lirisë, që, në krye të shtetit të vinin njerëz pa ideale realiste. Historia po përsëritet tek ne shqiptarët; atëherë kur topin e kemi në fushën tonë, ne japim autogol. Këtë hapësirë ditën dhe dinë ta shfrytëzojnë armiqtë, dhe ata që përfitojnë nga kjo situatë, për tu vetë pasuruar, (oligarkët).

Mendoj se bashkësia ndërkombëtare deshi dhe e bëri Kosovën një laborator të vetin me të cilin deshi t`i tregojë botës se ne mundemi brenda natës të bëjmë ndryshime rrënjësore në një popull, në këtë rast në shqiptarët e Kosovës. Kulturën, veset dhe jetën sociale të modelit të tyre na imponuan e Kosova me njerëzit e saj (populli), mendonte se duhet ta bënte këtë. Në informatikë përdoret termi kopje-ngjitje (copy-past) kur kemi të bëjmë me tekste në sistemin Word. Pra në Kosovë është e gjitha kjo kopje. Njerëzit nuk e dinin se çka  po kopjonin pasi s’merrnin kohë ta studionin meqë edhe ishte e imponuar nga sistemi, edhe pse ajo s’kishte të bënte fare me ta pasi s’ishte krijim i tyre (në këtë rast i ne, shqiptarëve të Kosovës)

Si rezultat, kemi sot gjendjen si e kemi: problemet sociale/varfëri të skajshme, fenomenin e vetëvrasjeve te të gjitha moshat/rezultat i kopjimit kulturor pa parapëgatitje-çoroditje kulturore, konsumim i narkotikëve/asnjë përgatitje para-medikale, fenomeni i ndarjeve të çifteve të martuar/model evropian-i kopjuar, dukuria e shopeve seksuale/shkatërrim i modelit të familjes dhe lindjet e padëshirueshme të fëmijëve jetimë, populli i pa përgatitur për sistem përkatës.

Shpartallim në sistemin edukativ e arsimor: filma me prejardhje latine dhe turke/ amoralitet degjenerues total. Shkolla, kolegje dhe fakultete private në çdo kilometër thuaja. Dëshira e madhe për dituri kaloi në padituri absolute, që e dëshmon e dhe PISA, ku Kosova ishte e para fundit, prodhim i diplomave e jo i diturisë, analistë e politikanë si kërpudhat- fenomen që lind nga papunësia.

Jo e gjitha është e zezë. Ka në Kosovë të rinj inteligjentë dhe punëtorë që ja duan të mirën vendit por ata duhet marrë guximin dhe ne, mërgata mendoj se mundemi t`u  paraprijmë ndryshimeve duke bërë trysni në familjet tona me bagazhin demokratik dhe potencialin intelektual e financiar të fituara në vendet ku jetojmë me demokraci të zhvilluara, në rastin tonë, në Zvicër. T`i frymëzojmë me metodat e kulturës politike dhe pjesëmarrjen masive qytetare, si pjesëmarrja direkte në votime duke mos rënë peng i matrapazëve politikë por të marrin kohë t`i lexojnë programet dhe ofertën e tyre, të mos votojnë për partitë,  por për personat brenda tyre dhe në Kosovë duhet të ndryshojë me çdo kusht sistemi elektoral i tanishëm i cili lë hapësirë të manipulohet me votat ,etj.

Intelektualët shqiptarë nga diaspora të të gjitha fushave propozoj që të shkojnë me projekte nga lëmenjtë e tyre përkatës: jo ata si bartës të vet projektit cilido qoftë ai, por si monitorues duke i vënë në punë vetë ata në Kosovë: më lehtë e kemi të na pranojnë se sa të jemi ne ata që e realizojmë pra nga jashtë: arsyeja është për mendimin tim frika e vendasve për humbje të kredibilitetit të tyre.

Andaj bashkëpunimi në këtë formë është më lehtë i pranueshëm për çfarëdo  projekti që shkon nga jashtë, në të mire të popullit dhe zhvillimit të Kosovës.

(Autori është kryetar i Asamblesë komunale të qytetit La Tène, Neuchâtel, Zvicër)

Ky editorial është shkruar enkas për alnbinfo.ch*

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/kosova-nuk-eshte-ajo-qe-e-kemi-enderruar-por-jo-gjithcka-eshte-e-zeze/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.