Lajme

Kosova për Interpol duhet të presë edhe një vit

“Ka mundësi për shtyrje të votimit për vitin e ardhshëm. Është kërkuar nga vendet të cilat e mbështesin Kosovën që votimi të shtyhet"

Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit ka shumë gjasa të ndodhë që votimi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol të shtyhet edhe për një vit. Këtë e ka lënë të kuptohet ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj. Ai ka deklaruar se disa shtete partnere të Kosovës jozyrtarisht tashmë kanë kërkuar, që të shtyhet votimi edhe për një vit. Ndërsa ka mohuar se kjo mund të bëhet për shkak të mungesë së votave.

“Ka mundësi për shtyrje të votimit për vitin e ardhshëm. Është kërkuar nga vendet të cilat e mbështesin Kosovën që votimi të shtyhet. Por këto informacione nuk janë zyrtare ende dhe për këtë gjë do të dihet zyrtarisht para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit”, ka deklaruar Demaj për Kohën Ditore.

Serbia ka nisur fushatë të ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol e UNESCO, ndërsa ministri i jashtëm i këtij shteti pati thënë se me gjithë angazhimin ata kanë pak gjasa ta pengojnë Kosovën për anëtarësim në Interpol. Asambleja e përgjithshme pritet të mbahet në Pekin muajin e ardhshëm.