Lajme

Kosova përkujton 18 vjetorin e sulmeve të NATO-s

Kjo ditë konsiderohet e veçantë edhe për ish guerilët e UÇK-së pasi që një vit më herët, u zhvillua Epopeja e Dukagjinit, ku vëllezërit Haradinaj luftuan kundër forcave serbe

Qytetarët dhe liderët e institucioneve të Kosovës kanë përkujtuar sot ( e premte) 18 vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo ditë konsiderohet e veçantë edhe për ish guerilët e UÇK-së pasi që një vit më herët, u zhvillua Epopeja e Dukagjinit, ku vëllezërit Haradinaj luftuan kundër forcave serbe.

Sulmet ajror kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç (Sllobodon), i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Sulmet e NATO-s nga ajri, të nisura 18 vjet më parë, dhe lufta heroike çlirimtare në tërë territorin e Kosovës, sollën lirinë që ne e gëzojmë sot, ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999, është ditë historike për Kosovën, për NATO-n por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”, shkruan sot kryeministri Mustafa, në rrjetin social Facebook.

Këto sulme, thotë Mustafa, përshpejtuan çlirimin e Kosovës dhe i hapën udhë pavarësisë dhe demokracisë në vendin tonë.

“Ne sot i shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjitha vendeve të tjera të NATO-s, të cilat na u gjenden pranë në momentet më të vështira”, shkruan Mustafa.

Partneriteti strategjik, sipas kryeministrit, dhe koordinimi “në çdo hap i joni me SHBA-të dhe miqtë euroatlantikë, ashtu si 18 vjet më parë, janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”.

President i Kosovës, Hashim Thaçi duke kujtuar 18 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, ndaj caqeve serbe, ka thënë se me këtë intervenim po mbyllej kapitulli i fundit i terrorit serb në Kosovë. Ai përmes një postimi në facebook, është shprehur se më 24 mars 1999 ndryshuan librat e historisë evropiane.

“Më 24 mars 1999 filloi bombardimi i caqeve policore dhe ushtarake serbe nga Aleanca ushtarake më e fuqishme e globit – NATO. Me këtë intervenim po mbyllej kapitulli i fundit i terrorit shekullor të shtetit serb në Kosovë dhe po hapej rruga e çlirimit të Kosovës. Në këtë datë ndryshuan edhe librat e historisë evropiane”, tha ai.
Për herë të parë, sipas presidentit kosovar, bota u bashkua për ta ndalur gjenocidin.

“Sot kujtojmë të gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën gjatë bombardimeve dhe shërbimit në Kosovë, por edhe nderojmë aleatët tanë që e përmbushën premtimin për lirinë tonë”, tha Thaçi, i cili në atë kohë ish udhëheqës politik i UÇK-së.

Edhe kryparlamentari i Kosovës Kadri Veseli thotë se Kosova kurrë nuk do ta harrojë këtë ditë. Sipas tij, bota u bë bashkë për t’i dhënë fund gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.
“Lufta heroike e UÇK-së dhe sulmet ajrore të aleatëve ndërkombëtarë, në këtë ditë historike, po na çonin drejt lirisë. Faleminderit secilit ushtar të NATO-s dhe secilit qytetar të Kosovës për sakrificën dhe kontributin e madh për këtë vend”, thotë Veseli.

Ndërkaq, një vit para se të ndodhin bombardimet, më 24 mars 1998, në fshatin Gllogjan të Deçanit u zhvillua një luftë ndërmjet vëllezërve Haradinaj dhe familjarëve të tyre me forcat serbe. Kjo ditë në Dukagjin njihet si Epopeja e Dukagjinit, e cila gjithashtu i dha frymë luftës kundër forcave serbe të Millosheviqit.

“Forcat serbe kanë filluar të bombardojnë në shtëpi dhe rrethuan familjen tonë dhe rrënuan gjysmën e fshatit. Ai operacion i tyre ishte i përgatitur”, ka thënë Daut Haradinaj, njëri nga protagonistët e asaj lufte. Ai ka thënë se falë përvojës së vëllait të tij Ramush Haradinajt, atë ditë, nuk u lejua që nga serbët luftëtarët e UÇK-së të futeshim në shtetrrethim.

“Ramushi insistoi me çdo kusht të mbahet një shteg i hapur”, ka thënë Daut Haradinaj, gjeneral dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

24 marsin si ditë të veçantë e përshkruan edhe njëri nga protagonistët e luftës së UÇK-së, ish-komandanti i Brigadës 138  “Agim Ramadani” të UÇK-së, Rrustem Berisha, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai, tha se kjo ditë është e veçantë, pasi në njërën anë i dha jehonë dhe zemër UÇK-së me betejën heroike të vëllezërve dhe familjes Haradinaj në Gllogjan me 24 mars 1998, dhe një vit me vonë ndezi shkëndijat e lirisë, kur NATO me 24 mars 1999, filloi fushatën e bombardimeve mbi forcave serbe në gjithë Serbinë.

“Është 18 vjetor i sulmeve dhe 19 vjetori i Epopesë së Dukagjinit dhe është një ditë e rëndësishme e historisë së UÇK-së dhe e Kosovës dhe historinë e NATO-s. Ishte një intervenim humanitar ushtarak dhe është një ngjarje që në historikun 50 vjeçar të NATO-s nuk ka ndodhur”, deklaroi Berisha.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.