Zhvillim

“KOSOVAideas”, synon ta bëjë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar

Ky projekt i ri mbështetet në një përvojë të pasur që themeluesit e tij: Georg Fankhauser nga Bazeli, Vllaznim Gjiha e Mentor Sahiti nga Kosova kanë në krijimin dhe udhëheqjen e projekteve të ndryshme me qëllim ofrimin e ndihmave në fusha të ndryshme në Kosovë

“Kosovaideas” ose www.kosovaideas.com është një platformë e re e themeluar ditë më parë në Kosovë dhe në Zvicër gjegjësisht në relacionin Gjakovë Bazel e cila shërben për mbështetjen dhe promovimin e projekteve inovative në fusha të ndryshme të jetës në Kosovë.

Ky projekt i ri mbështetet në një përvojë të pasur që themeluesit e tij: Georg Fankhauser nga Bazeli, Vllaznim Gjiha e Mentor Sahiti nga Kosova kanë në krijimin dhe udhëheqjen e projekteve të ndryshme me qëllim ofrimin e ndihmave në fusha të ndryshme në Kosovë.

“Afërsisht duke filluar nga viti 2010 e këndej financimi i projekteve përmes platformave të specializuara në internet po bëhet gjithnjë e më i pëlqyer dhe më relevant. Platformat e suksesshme Crowdfounding (platforma për financim grupor) në këtë mënyrë bëjnë bashkë numër të madh projektesh në fushë të artit, atë sociale, të krijimit të ndërmarrjeve të reja (start-ups), mbështetje e ideve dhe iniciativave të reja rreth e qark botës me miliona mbështetës, të cilët i ndihmojnë projektet me donacione, hua të vogla, investim kapitali dhe mënyra tjera financimi, transmeton albinfo.ch. prezantimin e platformës së re.

Platforma e parë e llojit të vet në Kosovë

Prandaj, me www.kosovaideas.com ne duam që një crowdfounding të tillë ta vëmë në dispozicion të Kosovës. Kjo platformë është e para e këtij lloji në Kosovë që angazhohet në masën 100 për qind në të gjitha fushat e artit dhe kulturës, angazhimeve të shoqërisë civile dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë. Platforma lidh iniciuesit e projekteve me komunitetin e tyre në Kosovë dhe jashtë saj”, thuhet veç tjerash në prezantimin që i bën vetes platforma.

Platforma e re që tash prezanton disa projekte të mbështetura nga ajo: Termokiss është për shembull një projekt interesant  në të cilin të rinjtë nga Kosova dhe nga Zvicra, me punë të madhe vullnetare kanë adaptuar një ndërtesë të termokosit në Prishtinë duke e shndërruar atë në një ambient për zhvillimin e aktiviteteve kulturore alternative.

Cilët janë iniciatorët dhe themeluesit?

Iniciatori kryesor, Georg Fankhauser formësoi vizionin e KOSOVA ideas duke qenë i frymëzuar nga përvoja tetëvjeçare në Kosovë me projekte motivuese, si dhe nga përkushtimi i tij për OJQ-në GjakovaBasel, ku ai është bashkëthemelues dhe udhëheqës i organizatës. I lindur më 1950 dhe i rritur në Basel, ai ka përfunduar studimet Universitetin  e Baselit e Baselit me master (lc. rer. pol.) në ekonomi në vitin 1980. Georg ka pas vetes një karrierë mjaft të pasur profesionale në fushën e menaxhimit në kompani të ndryshme në Zvicër dhe jashtë sah. Në vitin 2006 themeloi fondacionin muzikor Pirolo. Ndërsa është shumë i njohur dhe i çmuar për punën e tij së bashku me të shoqen në ndihmë projekteve muzikore dhe humanitare në raport me Kosovën.

Ndërsa Vllaznim Xhiha si njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit financiarë të “KOSOVAideas” lidhur me këtë krijesë të re shprehet “Misioni ynë është që të mbështesim projekte që e bëjnë Kosovën vend më të mirë për të jetuar në të. “KOSOVA ideas i ndihmon artistët, aktivstët socialë dhe ambientalistët për t`i realizuar projektet e tyre në Kosovë”. Të përkujtojmë: Xhiha është një personalitet me një biografi interesante prej inxhinieri me studime të mbaruara në ETH të Cyrihut në vitin 1976, profesori universitar dhe drejtori ekzekutiv të një kompanie të madhe zvicerane. Sot ai është shumë aktiv në mbështetjen e iniciativave për stimulimin e punës inovative në Kosovë. Platforma e themeluar nga ai “Bonevet” në Gjakovë, është njëra prej tyre. Ai është po ashtu bashkëthemelues i Fondacionit “UNË E DU KOSOVËN” në Prishtinë. Fokusi kryesor i fondacionit është tek mbështetja e nismave dhe projekteve për transformimin e arsimit, promovimin e arteve e artizanateve dhe sportit.

Bashkëthemeluesi tjetër i platformës “KOSOVAideas” është Mentor Sahiti. Ai është themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë së softuerit dhe  Adaptivit. Aktualisht është përgjegjës për zhvillimin strategjik dhe zgjerimin ndërkombëtar të kompanisë për bashkëpunimin me kompanitë dhe aktorët kryesorë në rajon Dach. Ai është po ashtu i përfshirë në akademi dhe në rolin e konsulentit për sipërmarrësit e rinj si dhe anëtar i bordit të STIKK – Shoqata e TIK-ut në Kosovë, e cila kontribuon në avancimin e komunitetit IT në Kosovë.

“KOSOVAideas” ka dy struktura ligjore të krijuara dhe kontrolluara nga themeluesit të cilat janë të vendosura dhe regjistruara në Zvicër: a)KOSOVA ideas (Verein/association) dhe b) KOSOVA ideas GmbH.