Sport

Kosovare Asllani boton libër autobiografik

Në këtë libër Asllani e cila njihet me nofkën “Kosse” flet se si filloi të luante futboll kur ishte fëmijë dhe për jetën që e ka kaluar si emigrante në shtetin suedez

Ylli i futbollit për femra, Kosovare Asllani ka botuar një libër autobiografik. Shqiptarja nga Suedia  ka thënë se libri i saj u dedikohet moshave të reja të fëmijërisë.

Në këtë libër Asllani e cila njihet me nofkën “Kosse” flet se si filloi të luante futboll kur ishte fëmijë dhe për jetën që e ka kaluar si emigrante në shtetin suedez.

Libri mban titullin “Pasoje topin! Bërtiste Kosse”, ndërsa është shkruar nga Anja Gatu dhe Maria Kallstrom.

“Ky libër nuk flet vetëm për fillimet e mia me futbollin por edhe për fëmijërinë time si emigrante në Suedi” ka thënë shqiptarja me prejardhje nga Mitrovica për mediet suedeze, transmeton “albinfo.ch”.

Kosovare Asllani është njëra nga futbollistet më të mira në botë. Ajo luan për ekipin francez  “PSG” dhe për kombëtaren suedeze. “Është vështirë të gjesh sot libra për fëmijë që flasin për femrat që janë të suksesshme në futboll. Prandaj unë dua të sjell një libër ndryshe”, është shprehur ajo.

Libri ka dalë në treg në prag të fillimit të Kampionatit Botëror të futbollit për femra. Në këtë kompetecion që fillon nga  data 7 qershor në Kanada do të marrë pjesë edhe Kosovarja bashkë me ekipin suedez.

Kosovare Asllani së bashku me futbollisten tjetër shqiptare, Fatmire Bajramaj – Alushi pak ditë më parë arritën që më PSG të shkojnë deri në finale të Ligës së Kampionëve për femra, por nuk ia dolën të triumfojnë  kundër ekipit gjerman Frankfurt.