Integrimi

Kosovarët, të katërt për nga numri në Kantonin e Cyrihut

Në vendin e katërt vijnë shtetasit e Kosovës, me 18.354 veta, pas të cilëve vijnë shtetasit e Serbisë (13670) ata të Maqedonisë (13.426) etj.

Gjatë vitit 2015, popullata në Kantonin e Cyrihut ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Plot 20.023 banorë më shumë se një vit më parë janë numëruar në kantonin me numrin më të madh të banorëve në Zvicër. Kështu, në fund të vitit 2015 në këtë kanton jetonon 1 milion e 463.459 banorë, ose 1.4% më shumë se një vit më parë, njoofton Zyra për Statistikë e Kantonit të Cyrihut.

Më së shumti në rritjen e popullatës ka ndikuar migrimi nga jashtë, gjegjësisht ai është shkaktar i dy të tretave të kësaj rritjeje, transmeton albinfo.ch. Pjesa tjetër vjen nga lindjet, gjegjësisht nga epërsia që ka pasur gjatë kësaj periudhe numri i lindjeve ndaj atij të vdekjeve.

Sa u përket të huajve, në kanton në fund të vitit 2015 jetonin rreth 380 mijë sish. Me këtë numër ata përbejnë 26 për qind të popullatës së kantont, ose 0.3% më shumë se një vit më parë.

Sikurse edhe më parë, më së shumti të huaj në këtë kanton vazhdon të ketë nga Gjermania, 87.000, pastaj nga Italia: 52.000 dhe nga Portugalia: 28.000. Në vendin e katërt vijnë shtetasit e Kosovës, me 18.354 veta, pas të cilëve vijnë shtetasit e Serbisë (13670) ata të Maqedonisë (13.426) etj.

Sikurse edhe në statistikat tjera të kësaj natyre, këtu nuk kanë hyrë personat me prejardhje të huaj të cilët ndërkohë e kanë marrë shtetësinë zvicerane dhe as ata që janë në procedurë të azilit, shkruan albinfo.ch. Në rubrikën e të huajve prandaj llogariten ata të huaj që kanë lejen e përkohshme (B) të qëndrimit ose atë të përhershme (C) si dhe disa kategori të tjera më të vogla.