Integrimi

Kosovarët, të katërtit për fitimin e pasaportës austriake

Boshnjakët, me 1262 pasaporta të reja asutriake janë të parët. Ndërsa kosovarët që kanë marrë pasaportën e Austrisë vendosen në vendin e katërt të kësaj liste, me 456 sish

Gjatë vitit të kaluar 9000 të huaj me qëndrim në Austri kanë fituar pasaportën austriake. Kjo është një rritje prej 4.4 për qind në krahasim me një vit më parë, shkruan orf.at dhe mediat tjera austriake, duke iu referuar të dhënave nga zyra federale e statistikës.

Sipas këtyre të dhënave, 35 për qind të të natyralizuarve kanë qenë të lindur në Austri ndërsa 37.2 për qind kanë qenë më të rinj se 18 vjeçarë.

Më së shumti shtetas të rinj austriakë gjatë vitit të kaluar ka pasur nga ata me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina, gjegjësisht 1262 veta ose 14.6% nga numri i përgjithshëm. Pas boshnjakëve, në vendin e dytë dhe të tretë vijnë turqit me 820 dhe serbët me 752 të natyralizuar. Ndërkaq kosovarët që gjatë vitit 2016 kanë marrë pasaportën e Austrisë vendosen në vendin e katërt të kësaj liste me 456 sish.

Pas kosovarëve, në radhë vijnë rusët me 337 dhe afganët me 332 të natyralizuar.