Integrimi

Kosovarët, të parët për pajisje me pasaportën zvicerane

Ata prijnë me 413 natyralizime të reja gjatë vitit 2017. Pas kosovarëve vijnë gjermanët, me 357 natyralizime të reja dhe pas tyre, italianët, me 336

Në Kantonin e Aargau-t, gjatë vitit 2017 kanë marrë nënshtetësinë zvicerane gjithsej 2150 shtetas të huaj. Shtetasit e Kosovës, janë të parët në listë sa i përket pajisjes me pasaportën zvicerane. Bëhet fjalë për 413 kosovarë të “zviceranizuar” gjatë vitit 2017 në këtë kanton, shkruan sda.ch.

Menjëherë pas kosovarëve vijnë gjermanët, me 357 natyralizime të reja dhe pas tyre, italianët, me 336, transmeton albinfo.ch. Në vendin e katërt, por me një numër dukshëm më të vogël, 166, vijnë të natyralizuarit me shtetësi turke.

Në kanton, në fund të vitit të kaluar ishin duke pritur 1531 kërkesa për pasaportë, nga 2672 persona, thuhet në raportin e publikuar të premten nga Zyra Kantonale e Statistikës.

Komunat, pas ndarjes së të drejtës për nënshtetësi në nivel komunash, i kanë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në nivel kantonal 1457 kërkesa të 2586 personave, përcjell albinfo.ch. Dhjetë persona i kanë tërhequr kërkesat e tyre ndërsa njëkohësisht, kërkesat e 13 personave janë hedhur poshtë.