Shkurt.ch

Kosovarët, të tretët në “biznesin” e trafikimit të refugjatëve

Nga janari deri në fund të gushtit, në Zvicër janë arrestuar 255 persona të dyshuar për marrje me kontrabandim të qenieve njerëzore

Zvicra po bëhet gjithnjë e më tepër një qendër për kontrabandimin me qenie njerëzore. “Ne kemi mundur të konstatojmë gjatë këtij viti një rritje të kësaj kontrabande në krahasim me vitet e kaluar”, ka thë për “SonntagsBlick” David Marquis, zëdhënës i Administratës Federale të Doganave.

Nga janari deri në fund të gushtit, në Zvicër janë arrestuar 255 persona të dyshuar për marrje me kontrabandim të qenieve njerëzore, transmeton albinfo.ch. Kur dihet se gjatë periudhës së njëjtë të një viti më parë ishiun kapur 174 veta, dallimi është i qartë.

Kontrabanduesit janë më së shpeshti nga Zvicra, nga Italia dhe nga Kosova. Trafikuesit me qenie njerëzore po e përdorin gjithnjë më shumë territorin zviceran si vend të sigurt. Prej këtu, ata organizojnë transportin e migrantëve nga Evropa e Jugut në drejtim të veriut, shkruan më tutje gazeta.

Prokuroria Shtetërore e Munihut është duke udhëhequr aktualisht një procedurë kundër një shtetasi të Jemenit me vendbanim në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Ai akuzohet për kontrabandim me numër të madh migrantësh, të kryer në raste të shumta, duke shfrytëzuar Zvicrën si vend transiti, për të transportuar refugjatët nga Italia në Gjermani. Ai mund të marrë deri në dhjetë vjet burg, në rast se dënohet.